TIRANË- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Erion Veliaj ka vijuar prezantimin e programit të tij në Njësinë numër 2 në kryeqytet. Veliaj tha se janë disa projekte të parashikuara që prekin Njësinë 2 dhe që do të sjellin rritje të punësimit.

“Lajmi i mirë për zonën është se do të rris punësimin. Kemi gjetur të gjithë financimin për të përfunduar unazat e Tiranës, të tre unazat kalojnë nga njësia dy dhe besoj se do jenë zgjidhje për trafikun në këtë zonë të ngarkuar. Dy projektet e fundit që i prek Njësia 2: Është Parku i Besimit ku çdo pemë që përmendet në librat e shenjtë, Bibë e Kuran do të mbillen përgjatë tij; Një projekt i ri, vizioni ynë për tregun jo vizioni i atij xhandarit që edhe për majdanoz do taksë, një hapësirë si pazari i ri. Do të jetë një treg me standarde të larta dhe gjatë pasdites do të shërbejë si një hapësirë rekreative”, tha Veliaj.

Ai nuk ngurroi të ftojë sërish në debat për të ballafaquar projektet, 5 kandidatët e tjerë për Tiranën, por jo vetëm. Veliaj ftoi edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministrin Berisha dhe djalin e tij.

“Miqtë e mi kjo është kontrata jonë me njësinë numër 2. Konkrete, praktike deri në detajin e fundit. Do të ishte e udhës që të 5 kandidatët e Saliu të na thoshin projektet e tyre. I ftoj të 5 kandidatët, Lulin dhe Saliun, të shtatë të marrin dhe Shkëlzenin të tetë, të vijë kush të dojë. Ne kemi moralin të shkojmë dhe tek ata që nuk na kanë votuar në 2013.

Kur erdha në ministri vetëm një këst u ishte dhënë të përndjekurve e sot do shpërndajmë të pestin.  Edhe të djathtëve u shërbejmë 5 herë më shumë dhe 5 herë më shpejt”, u shpreh ai.

NGJELA: VELIAJ ËSHTË I PAKORRUPTUESHËM, HIQ KORRUPSIONIN NGA TIRANA TË HYSH NË HISTORI

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela është shfaqur në aktivitetin e sotëm në mbështetje të kandidatit të ASHE, Erion Veliaj. Ngjela tha se Veliaj nuk ka kapacitet korruptimi ndërsa i ka kërkuar ti heqë korrupsionin Tiranës.

“Erioni nuk ka kapacitet korruptimi, është i pakorruptueshëm. Vlerë më të madhe nuk ka. Më lejoni ti them këtu: Hiqja korrupsionin këtij qyteti! Korrupsion primitiv, mesjetar, otoman, pashallëk. Hiqe korrupsionin të futesh në histori. Të gjitha ato që thua që mendoj se do i bësh, nuk të fusin në histori. Ktheje Tiranën në një qytet modern. Tirana nuk është ende një qytet evropian. Kryeministrin e ke në anën tënde. Bëni një qytet evropian. Do ketë dhimbje, do ketë prishje, merreni përsipër që të na shpëtoni. Është qyteti më i ndotur i Europës, hiqja. Ka cilësinë që nuk është i korruptuar dhe di të zgjedhë alternativën më të mirë. Zgjedhja është e vështira. Merri energjitë e tua dhe jepja këtij qyteti. Krijo kontratën tënde me kryeministrin dhe hiqja korrupsionin. Do ti shërbejë njeriut, jam i bindur për këtë. Është hera e parë që vjen një kryetar bashkie në këtë moshë në këtë kryeqytet. Ky është o risku-o fitorja, ne anojmë nga fitorja”, tha Ngjela.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: