TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veliaj ka prezantuar sheshin “Skënderbej” në bienalen e Çikagos, sikurse kishte lajmëruar më herët.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari Veliaj, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ku ndër të tjera falënderon kryebashkiakun e Çikagos, Rahm Emanuel për mikpritjen e lartë.

“I kënaqur për hapjen e pavionit të sheshit “Skënderbej”, në bienalen në Çikago. Faleminderit kryetari Rahm Emanuel për mikpritjen e lartë”, shkruan Veliaj.

Më herët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës kishte deklaruar se Sheshi “Skënderbej ishte përzgjedhur si një nga projektet më të mira, që do të diskutohej në Bienalen e Arkitekturës në Çikago.

“Aktiviteti më i rëndësishëm i arkitekturës dhe i urbanistikës periodik është “Bienalja e Çikagos”, ku ne jemi përzgjedhur. Zakonisht shtetet përfaqësohen me pavijonet e tyre, por shpesh herë zgjidhen për një pavijon specifik për një gjetje, një krijim, një vepër që provokon debat dhe konsiderohet unik nga ana e arkitekturës dhe impakti që ka pasur. Ne në ditët e para të hapjes së Sheshit “Skënderbej” jemi zgjedhur për të pasur një pavijon të Sheshit “Skënderbej” edhe është ndoshta forumi më i madh i arkitektëve i urbanistëve. Unë si kryetar bashkie jam i ftuar të flas pak për komponentin urban dhe për mënyrën se si ka transformuar ekzistenca e atij sheshi shumë prej ngjarjeve në Shqipëri, le të themi që është si “Agora””, është shprehur më herët ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: