TIRANE- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për kryetar Bashkie në Tiranë, Erion Veliaj, ka zhvilluar sot në njësitë 1 dhe 2 në kryeqytet një takim përmbyllës. Veliaj tha se në programin e tij parashikon investime në qytet dhe më shumë mundësi e shërbime për banorët e Tiranës. Duke u ndalur tek fushata e PD, kandidati i majtë tha se ata kanë si alternativë “kthimin mbrapa”.

“Koalicioni ynë është aq i madh, sa shosh se edhe Halim Kosova është bashkuar me ne në drejtimin e duhur. Vetëm 2 vjet më parë, nëse një simbol i partive tona do të ishte në mes të mitingut të partisë së SHQUP-it simbolet do ishin përdhosur. Do kishte filluar sherri. Fakti se tenda e doktor Halimit nuk është larguar, do të thotë se ne nuk e përdorim politikën për t’i përçarë e larguar njerëzit, por për t’i afruar. Alternativa e tyre është hajde kthehemi aty ku ishim. Alternativa e tyre thotë ishim mirë, kur ishim keq”, tha Veliaj.

FJALA E PLOTE E KANDIDATIT ERION VELIAJ
Ky është një koalicion i jashtëzakonshëm, me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ta shikojnë kryeqytetin tonë në drejtimin e duhur. Madje, aq i madh është koalicioni ynë sa shoh që edhe Halim Kosova është bashkuar me ne në drejtimin e duhur. Vetëm 2 vjet më parë, nëse një simbol i partive tona do të ishte në mes të mitingut të partisë së SHQUP-it, simbolet do ishin vandalizuar, do ishin përdhosur, do kishte filluar sherri. Por, sot tenda e doktor Halimit nuk preket sepse ne i respektojmë të gjithë, u shërbejmë të gjithëve dhe nuk i ndajmë njerëzit në të majtë dhe të djathtë. Nuk e përdorim politikën për t’i përçarë njerëzit, nuk i përdorim partitë për t’i përçarë njerëzit, ne e përdorim politikën për t’i bashkuar njerëzit dhe për t’u shërbyer të gjithë njerëzve pa dallim.

Miqtë e mi, kemi edhe 11 ditë për të kontaktuar të gjithë miqtë tanë dhe për t’u treguar se ka një zgjidhje për Tiranën. Gjatë gjithë takimeve në Njësitë 1 dhe 2 shumë njerëz janë ankuar për problemet e tavolinës së bukës. Njerëzit ankohen për shkollat, për kopshtet, për çerdhet, për pusetat, për rrugët dhe për trotuaret. Njerëzit janë lodhur nga një kryetar bashkie që 4 vjet fjeti gjumë me gërrhima, nga një kryetar bashkie që është në çdo cep të Shqipërisë përveçse në Tiranë. Çfarë u thotë kur shkon në qytetet e tjera? Ishte sot në Krujë, vinte nga vinte, por nuk thoshte dot ejani ta bëjmë Krujën si Tiranën, sepse nuk bëri asnjë punë për Tiranën, sepse s’ ka për të bërë për Krujën dhe as për ndonjë qytet tjetër.

Alternativa e tyre është: Eja kthehemi aty ku ishim. Alternativa e tyre është: Ishim mirë kur ishim keq. Alternativa e tyre do të na kthejë në 2013, kur nuk shpërndahej ndihma ekonomike, kur nuk bëhej pagesa e aftësisë së kufizuar, kur nuk shpërbleheshin ish të përndjekurit, kur nuk bëheshin legalizimet, kur nuk shpërndaheshin hipotekat. Ne e refuzojmë ofertën e tyre, sepse do të shkojmë në drejtimin e duhur. Përgjigja e koalicionit është: Ne nuk ishim mirë kur ishim keq më 2013-ën. Përgjigja e koalicionit është: Po legalizimeve, do të vazhdojmë edhe në Njësitë 1 dhe 2.

Para 4 vitesh, shqiptarëve iu premtua hipotekimi i 400 pallateve. Ata thonë: Eja kthehemi atje ku ishim, me Saliun në krye dhe me Lulin në bashki. Por, ne do të shkojmë në drejtimin e duhur. Nuk kthehemi mbrapsht. Për ata qytetarë që kërkojnë të hipotekojnë shtëpitë e tyre, bashkia jonë e re do të marrë përsipër hipotekimin e 400 pallateve, që të sigurohemi që asnjë qytetar nuk mbetet pa pronë dhe asnjë qytetar të mos ngelet pa gëzuar pronën e tij.

Miqtë e mi, këta thonë se pas katër vitesh mësuan se si mblidhen plehrat. Këta pretendojnë se pas katër vitesh mësuan si shtrohen rrugët. Këta mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe do t’u japin edhe 4 vite të tjera. Por, katër vite ishin mjaftueshëm. Ata mendojnë se njerëzit do t’i votojnë po të tregojnë barsaleta, nëse bëjnë gallatë, nëse tregojnë histori pa lidhje me nevojat e Tiranës. Mendojnë se njerëzit i ha meraku për kalin e Zenit. Jo miqtë e mi! Njerëzit i ha meraku për familjet e tyre, për shkollën, për kopshtet, për çerdhet, për rrugët, për trotuaret, për pastrimin e qytetit.

Miqtë e mi, kemi edhe 11 ditë për të fituar të gjitha zemrat e njësisë nr. 1 dhe nr. 2. Kemi edhe 11 ditë për të fituar në Shkozë, për të fituar Ali Demin, për të fituar në Shkollën e Baletit, për të fituar në Qytetin Studenti, për të fituar te Depoja e Ujit, për të fituar në rrugën e Elbasanit, për të fituar Saukun, për të fituar Tiranën dhe për t’ia kthyer qytetarëve.

Dua shumë që të ftoj të gjithë kolegët e mi, këshilltarët, koalicionin, deputetët, ministra, ky është ekipi ynë i fitores. Ky është ekipi ynë që do ta çojë Tiranën në drejtimin e duhur.

Në jeni dakord me kontratën që koalicioni ynë ka premtuar për Njësinë 1 dhe Njësinë 2, nëse jeni dakord për shkollat, kopshtet dhe çerdhet, nëse jeni dakord për rrugët, nëse jeni dakord për investimet, ngrini duart dhe do të jemi të gjithë bashkë për të fituar dhe për të punuar. Do ta çojmë në drejtimin e duhur Tiranën tonë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: