TIRANE– Banorët e bllokut të pallateve “Shushica” në Njësinë Administrative nr. 5 nga sot i gëzohen një lagjeje krejt ndryshe, me rrugë, trotuare, ndriçim e lulishte të reja. 7 muaj nga nisja e punimeve për rehabilitimin e zonës, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të të gjithë hapësirës prej 5.6 hektarësh që kufizohet nga rrugët “Sulejman Delvina”, “Medar Shtylla”, “Skënder Luarasi”, “Grigor Heba” dhe “Gjik Kuqali”. Në përurimin e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Pandeli Majko, si dhe shumë banorë të zonës, të cilët u shprehën të kënaqur që pas shumë vitesh harresë, në këtë lagje bëhet një investim i tillë.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu kënaqësinë që rikthehej në një zonë tashmë totalisht të ndryshuar, me rrugë e trotuare dhe çdo element tjetër urban, të kuruar në çdo detaj, dhe me cilësi të lartë punimesh. “Më kujtohet fare mirë se si kjo zonë ishte një kalim me pengesa gjatë ditëve të fushatës, vetëm pak muaj më parë, ndërsa sot është një nga lagjet me rritjen më të madhe të vlerës së pronës në këto 7 muaj. Sondazhet e agjencive imobiliare flasin për rritje të vlerës së pronës me 30% vetëm nga ky investim, me parkimet, gjelbërimin, sinjalistikën dhe infrastrukturën që krijuar në këtë lagje. Më vjen mirë sepse këtu kemi vendosur një standard të cilin do ta ruajmë në të gjitha investimet e bashkisë në Tiranë”, Veliaj.

Ai shtoi se qytetarët duhet të kuptojnë se arsyeja pse është zgjedhur Njësia 5, ku filloi ky investim i parë para pak muajsh, është sepse është njësia që ka pagesën më korrekte të taksave dhe faturave të ujit. Ky element, sipas tij, do të jetë faktor përcaktues në të gjitha punimet që bashkia do të kryejë në qytet, ndaj edhe qytetarët duhet ta dinë se çdo faturë e paguar i rikthehet në investim në lagje. “Kjo do të thotë se i kemi kthyer kësaj njësie ekzaktësisht shumën që ka paguar në taksa në katër vitet e fundit. Çka do të thotë se qytetarët i kanë në dorë investimet e tyre. Sa më korrektë të jenë me pagesat ndaj bashkisë, aq më korrekte do të jetë bashkia për t’ua kthyer qindarkë më qindarkë në investime të tilla”, u shpreh Veliaj. Gjithashtu, ai bëri të ditur se rikualifikimi urban i kësaj zone krijon mundësinë që bashkia të pilotojë edhe projektin e parkimit të rezidentëve, që ka parashikuar ta zbatojë më pas edhe në gjithë Tiranën.

“Për herë të parë, këtu do të pilotojmë edhe parkimin në komunitet me 162 vende parkimi. Duke nisur nga muaji tjetër, qytetarët do të mund të marrin kartën e rezidentit, duhet të provojnë që kanë një makinë dhe apartament në këtë zonë të rikonstruktuar, çka do u mundësojë të kenë vendin e tyre të sigurt të parkimit”, tha kryetari i Bashkisë. Ai ka kërkuar ndihmën e banorëve të zonës që tashmë këtë investim të Bashkisë ta mirëmbajnë dhe të denoncojnë çdo përpjekje për ta vandalizuar atë.

“U kërkoj qytetarëve të tregojnë respekt për investimin; është një investim i tyre, që u shton vlerën atyre, e shijohet e përdoret nga vetë ata. U kërkoj qytetarëve që ta mbrojnë nga vandalizmi, të raportojnë, të bashkëpunojnë me bashkinë që të sigurohemi se këto investime ruhen”, deklaroi Veliaj. Ai tha se tani që kjo zonë ka marrë një pamje të re sa i përket infrastrukturës, banorët e saj mund të kërkojnë ndihmën e bashkisë edhe për të suvatuar dhe mirëmbajtur fasadat e pallateve.

“Për herë të parë do fusim konceptin e fondeve komunitare. Aty ku komuniteti kërkon të suvatojë apo lyejë pallatet, bashkia u siguron krahun e punës, skelerinë e logjistikën, në mënyrë që të kemi të njëjtën cilësi, për t’i shtuar vlerën e pronës çdo qytetari që ka zgjedhur të jetojë në Tiranë dhe të paguajë rregullisht taksat”, deklaroi Veliaj.

Ndërkohë ai ka bërë të ditur se investimet në këtë njësi sapo kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera, duke nisur nga zona e Selitës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, e konsideroi rehabilitimin e bllokut të pallateve si një ngjarje të shënuar për gjithë komunitetin e zonës, por edhe një standard i ri të mënyrës se si bashkia po i afrohet komunitetit.

“Ne e kemi shumë afër bulevardin, por cilësia e jetës këtu ishte sikur jetoje në fshat. Ndaj, ky investim mendoj se na bëri të qartë pritshmërinë pozitive të njerëzve. Është një moment edhe pak më i veçantë se ky ndryshim, ky rregullim i kësaj infrastrukture i shkon edhe kandidatit të Partisë Demokratike dhe mikut tonë të përbashkët, Dr. Halimit, sepse i kalon afër shtëpisë dhe mendoj se nga ky investim kënaqen të gjithë, si të majtët dhe të djathtët. Nuk po i shtrojmë rrugët vetëm për të majtët, por po i shtrojmë për një komunitet, i cili pavarësisht votës do të gëzojë këtë histori të suksesshme investimesh të Bashkisë së Tiranës”, u shpreh deputeti Majko.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb