TIRANE- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për kryetar Bashkie në Tiranë, ka zhvilluar pasditen e sotme takim elektoral me banorët e njësive 3, 4 dhe 8 në kryeqytet. Duke përmendur sërish projektet e tij për Tiranën, Veliaj tha se skuadra e tij po punon për të çuar kryeqytetin në drejtimin e duhur. Ndërsa tha se në 4 vite nuk është bërë asgjë konkrete për Tiranën, kandidati i ASHE i kërkoi kryeqytetasve votën më 21 qershor, duke u bërë thirrje që të mos lënë pa ushtruar të drejtën e tyre të votës.

“Kemi pritur 4 vite që të vijë dita që ta marrim mbrapsht Tiranën. Është koha që koalicioni që e do Tiranën “Zonjë” ta marrë e ta çojë në drejtimin e duhur. Na duhen edhe 10 ditë që kryeqyteti të shkojë në drejtimin duhur. Me ne Tirana është në drejtimin e duhur, me fuqinë tuaj, bekimin dhe votën tuaj. Duhet ta çojmë Tiranën nga gjumi 4-vjeçar, ta pastrojmë dhe ta ndërtojmë ashtu siç duhet”, tha Veliaj.

FJALA E KANDIDATIT ERION VELIAJ

Në 21 qershor ndeshet kultura e jonë e punës me kulturën e tyre të gërrhimës dhe të gjumit. Në 21 qershor ndeshet kultra jonë e pastërtisë me kulturën e tyre të pisllëkut. Në 21 qershor ndeshet kultura jonë e respektit, kultura jonë e dashurisë dhe e shërbimit me kulturën e tyre të shpifjeve, të fyerjeve dhe të poshtërimit. Kultura jonë e punës, e ndershmërisë, do të fitojë.

Miqtë e mi, na keni pritur me dashuri, na keni pritur me respekt, na keni dhënë kurajo, energji, në Allias, në Porcelan, në Kinostudio, të Varri i Bamit, këtu te Xhamlliku, te Oxhaku, e në të gjithë Tiranën. Kemi 10 ditë që të trokasim në çdo derë, të shtrëngojmë çdo dorë, t’i ftojmë të gjithë të vijnë në rrugën tonë. Dua të falënderoj shumë koalicionin tonë të jashtëzakonshëm, PS, LSI, PDIU, FRD dhe të gjithë ata që mendojnë se kultura jonë e punës dhe e shërbimit është drejtimi i duhur për Tiranën tonë.

Miqtë e mi, përpara 4 vitesh këta e vodhën Tiranën, e poshtëruan Tiranën, e lanë Tiranën jashtë vëmendjes, e lanë të pisët, të shkatërruar. 4 vite ikën dhe erdhi momenti ynë! Këta e vodhën Tiranën si plaçkë dhe e trajtuan si plaçkë. Edhe sot në javën e fundit, po e trajtojnë dhe po e vjedhin si plaçkë. Tirana nuk është plaçkë, Tirana është zonjë! Do ta bëjmë Tiranën një zonjë të vërtetë. Do ta pastrojmë Tiranën, do të sjellim ngrohjen në shkolla, do të rregullojmë rrugët e Tiranës, do të sigurohemi që çdo rrugicë e këtyre njësive të ketë ndriçim.

Miqtë e mi, ata mendojnë se duke u marrë me familjet tona, duke shpifur për secilin prej nesh, duke fyer çdo njeri që do ndryshimin, ne do të harrojmë. Ne duam Tiranën në drejtimin e duhur, të gjithë bashkë, në njësinë 3, 4 dhe 8, të gjithë në drejtimin e duhur. Ftoni motrat, vëllezërit, komshinjtë, kushërinjtë, të gjithë qytetarët, të majtë dhe të djathtë, në drejtimin e duhur. Asnjë njeri nuk duhet të rrijë në shtëpi në datën 21 qershor. Kemi pritur 4 vjet që të vijë dita që ta marrim mbrapsht Tiranën. Sa herë që e majta ka qeverisur Tiranën, ka shkuar në drejtimin e duhur. Është koha që koalicioni i qytetarëve që e duan Tiranën zonjë, ta marrin dhe ta çojnë në drejtimin e duhur.

Miqtë e mi, edhe 10 ditë që Brryli të shkojë në drejtimin e duhur, që Porcelani të shkojë në drejtimin e duhur. Edhe 10 ditë që Alliasi të shkojë në drejtimin e duhur, edhe 10 ditë që Oxhaku të shkojë në drejtimin e duhur, edhe 10 ditë që Rruga e Dibrës të shkojë në drejtimin e duhur, edhe 10 ditë që Njësia 3, 4 dhe 8 të shkojnë në drejtimin e duhur. Të gjithë bashkë!

Dua të ftoj të gjithë deputetët, të gjithë koalicionin tonë, të gjithë këshilltarët tanë. Ky është ekipi ynë, forca jonë është te qyteti. Do ta kthejmë qytetin në drejtimin e duhur, do ta kthejmë Tiranën në drejtimin e duhur, me fuqinë tuaj, me kurajën tuaj, me bekimin tuaj, me votat tuaja. Kemi edhe 10 ditë që t’i japim këtij ekipi mundësinë që ta çojë Tiranën në punë, ta zgjojë nga gjumi 4 vjeçar, ta pastrojmë Tiranën dhe ta ndërtojmë atë.

Fitore të gjithë bashkë! Punë të gjithë bashkë! Ta çojmë Tiranën aty ku e meriton, kryezonjën e Shqipërisë, Tiranën e të gjithë shqiptarëve, në drejtimin e duhur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: