Turqia është renditur në vendin e 6-të mes vendeve më të vizituara në botë, me 39,9 milionë turistë në vitin 2017.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit pranë Kombeve të Bashkuara (UNWTO), vitin e kaluar 1 miliard e 322 milionë persona në të gjithë botën kanë kryer vizita nga një vend në një vend tjetër. Afërsisht 43 për qind e vizitorëve kanë preferuar 10 vende.

Vitin e kaluar, vendi më i vizituar ka qenë Franca me 88,9 milionë vizitorë, e cila është ndjekur nga Spanja me 82,2 milionë, SHBA-ja me 72,9 milionë, Kina me 59,3 milionë dhe Italia me 57,8 milionë turistë.

Ndërsa Turqia, me 39,9 milionë vizitorë të huaj në vitin 2017, është renditur vendi i 6-të në botë. Turqia është ndjekur nga Meksika me 39,3 milionë, Britania e Madhe me 38,7 milionë, Gjermania me 37,6 milionë dhe Tajlanda me 34,7 milionë vizitorë.

Presidenti i Shoqatës Mesdhetare të Hotelierëve dhe Operatorëve Turistikë (AKTOB), Erkan Yagci, tha se turizmi i Turqisë pas dy viteve të vështira 2015 dhe 2016 është rikuperuar shpejt dhe ka fituar vrull në 2017-n.

Pasi ka rikujtuar se shifrat më të mira në turizëm Turqia i ka arritur në vitin 2014, me rreth 41,4 milionë turistë të huaj, Yagci, vijoi me këto fjalë: “Për këtë vit mund të them se po ecim shumë mirë dhe ka gjasa të tejkalojmë shifrat e 2014-s. Në fund të vitit 2018 mund të arrijmë në 45 milionë (turistë) në Turqi”.

Duke vënën theksin se ka një rritje serioze edhe në turizmin e brendshëm, Yagci, është shprehur: “Turqia ka një popullsi prej 80 milionë banorësh. Rreth 50-55 për qind e qytetarëve tanë kanë potencialin për të udhëtuar, gjë kjo e cila përbën një burim serioz. Turizmi për Turqinë është një sektor kombëtar. Ne, si një vend turistik, dëshirojmë që qytetarët tanë të kryejnë pushime. Për këtë ne kemi edhe kushtet, komplekset, por edhe çmime të përshtatshme. Kemi dëshirën që qytetarët tanë të dalin për pushime disa herë në vit dhe të kontribuojnë si në turizmin veror, ashtu edhe në atë dimëror. Kjo është shumë e rëndësishme në aspektin e qëndrueshmërisë së sektorit”./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb