TIRANË- Shumë shpejt rreth 30 mijë familje në të gjithë vendin që kanë blerë shtëpi në pallate ku është shkelur leja e ndërtimit nga pronarët do të pajisen me hipotekën e shtëpive. Në procesin e legalizimit do të përfshihen 1.320 pallate në të gjithë vendin, 700 prej të cilave janë në Tiranë.

Këshilli i Ministrave miratoi dje projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”.

Ky projektvendim u hartua nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI, në zbatim të neneve 36 dhe 43/1 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Për të sqaruar këtë projektvendim dhe se si do të procedohet me pajisjen e qytetarëve me hipotekat e shtëpive ka qenë sot i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, kreu i ALUZINI-t, Artan Lame.

Ai sqaroi se si qytetarët do të mund të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë dhe si do të shkohet në mbledhjen e dokumenteve. Lame tha se do të ketë edhe një ‘penalizim’ për ndërtuesit që nuk plotësojnë dokumentacionin ose nuk ndjek procedurën për të cilën do të ketë një afat.

“Deri në 2013 nuk u mor njeri më këto. Duke qenë pallate me shumë banorë, nuk dilte gjë nga ata dhe ishin stivosur aty. Kjo stivë u shtua edhe nga 2014 e këtej sepse ne duhet të bënim skedimin e tyre. U gjendëm para 2 rrugëve ose do merremi me secilin objekt ose do i kategorizonim në grupe. Nuk mund t’i linim më. Unë e kam ndjekur me shumë kujdes përveç Facebook tim, përveç institucionit të ALUIZN-it, kam ndjekur reagimet e njerëzve dhe pa diskutim pyetja kryesore e qyt është çfarë do bëjmë ne tani.
Qytetarët nuk duhet të bëjnë asgjë. Nuk ka letra fare për të bërë qytetari, pasi shumica e dosjeve janë tek ne. Do ta ndjekë ALUIZNI. Marrim shembullin e një pallati 8-10 kate që është bërë me leje ndërtimi por ka bërë edhe një shtesë, një kat pa leje dhe tani nuk hipotekohet dot. Ndërtuesi i ka marrë lekët nga qytetarët por këta të fundit nuk e kanë marrë hipotekën. Ndërtuesi nuk e ndjek më procesin, vijnë qytetarët. Ne i drejtohemi prapë subjektit dhe i themi ke kaq kohë të ndjekësh procedurën dhe të plotësosh dokumentacionin. Në qoftë se subjekti është i interesuar do i sjellë apo do i plotësojë. Subjekti që nuk është i interesuar nuk e ndjek më çështjen. Pas mbylljes së këtij afati, ALUIZNI emeton një dokument ku thotë që subjekti nuk është më interesuar. ALUIZNI përllogarit detyrimet që ka subjekti dhe ja çon Drejtorisë së Tatimeve dhe mbyll çështjen me shtetin dhe thërret qytetarët, hajdeni të plotësojmë. Me një ndërtues të përgjegjshëm, pasi ai plotëson dokumentet dhe i ndan ai hipotekat. Kjo është prapë njëra kategori, ato me leje ndërtime”, tha Lame.

Ai u shpreh se pas kësaj kategorie vijnë pallatet e ndërtuara pa leje nga ndërtuesit dhe më pas ndërtimet e vetë qytetarëve. “Janë pafund pallate pa leje ndërtimi për arsye subjektive apo edhe për arsye objektive. Ne do fillojmë nga subjekti dhe nëse ai nuk është i interesuar llogariten detyrimet dhe vijohet me qytetarët. Pastaj kategoria tjetër është e qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje, procedura e njëjtë”, sqaroi ai.

Sa kohë do zgjasë procesi?
Afatet janë tonat për fillim procedure. Por janë edhe qytetarët që duhet të vijnë për lejet. Unë këmbëngul se as ALUIZNI dhe as qytetarët nuk e kryejnë legalizimin nga shtëpia, por duhet të punojmë bashkë. Drejtoritë përkatëse punojnë për dokumentacionin. Është një lloj bashkëveprimi i të gjithëve për ta çuar këtë proces deri në fund. E dyta të kapin pas xhakete te gjithë ndërtuesit që t’u përgjigjen organizmave të shtetit.

Kjo nuk do të thotë se njerëzit duhet të ndërtojnë kate të tjera me shpresën se do legalizohen?
Unë jam dhe historian, shqiptarët kanë 3200 mijë vite që ndërtojnë pa leje. Por niveli i ndërtimeve pa leje ka rënë këto vite. Asnjë mur i ndërtuar pas datës 26 qershor 2014 nuk do legalizohen, pasi fotografimi ajror të jep të gjitha të dhënat. ALUZNI do ju shkojë dhe 1320 objekteve që kane shkelje në leje.
Është gjeja më normale qe të ketë vërejtje. Çështja me letrën e Manjanit përfundoi në media prandaj u bë më tepër jehonë. Duket sikur ne po marrim kompetencat e pushtetit vendor.
Nuk po i merrni?
Fakti që kemi kërkuar mendim në bashki nuk do të thotë ndërhyrje. Nuk shuhen detyrimet. Nuk është se ky subjekt ka ndërtuar pa leje dhe ne e legalizojmë. Sa i përket shkeljeve nuk do të thotë që ti që ke bërë një kat më shumë paguan më shumë se një qe ka bërë 7 kate. Pallatet janë aty, doni ta pushkatojmë ndërtuesin e pushkatojmë, por do shkojmë tek ai njëherë.

(m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb