Hamasi ka bërë thirrje për një kryengritje të re kundër Izraelit pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin hebre.

“Ne duhet të kërkojmë dhe duhet të punojmë për fillimin e një intifade përballë armikut sionist”, tha kreu i Hamasit Ismail Haniyeh, në një fjalim në Gaza të enjten.

Udhëheqësit botërorë shprehën shqetësim serioz për vendimin që mund të çojë në destabilizimin e rajonit.

Protestat anti-SHBA shpërthyen pothuajse menjëherë pas deklaratës së Trump-it të mërkurën, ndërsa palestinezët ishin të parët që dolën në rrugë, duke bërë thirrje për tri ditë zemërim kundër vendimit.

Vendimi është mirëpritur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili e falënderoi Trump dhe tha se ai beson se “shumë” vende të tjera do të ndjekin shembullin e njohjes së Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Egjipti dhe Jordania thanë të mërkurën se refuzojnë vendimin e SHBA. Liga Arabe pritet të zhvillojë një takim urgjent të shtunën për të diskutuar zhvillimet, tha kreu i delegacionit palestinez.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb