Liliana Ruko, gruaja që u vra nga bashkëshorti, i cili e hodhi nga kati i katërt i pallatit ku banonin, kishte siguruar nga gjykata e Fierit, një urdhër mbrojtje. Por, ky dokument i Gjykatës nuk e mbrojti gruan, të cilës vdekja i erdhi pikërisht nga duart e burrit.

“News 24” siguron dokumentin e Gjykatës së Fierit që mban datën 9 nëntor 2016, vetëm pak ditë pasi çifti ishte kthyer nga Gjermania.

Gjykata kishte pranuar padinë e 43-vjeçares dhe kishte lëshuar Urdhër Mbrojtje me afat 1-vjeçar për të, ku urdhërohej i padituri mos kryente, cenonte, ngacmonte, kontaktonte ose kërcënonte gruan e tij Liliana Ruko.

Në pikën 6 të vendimit, Gjykata urdhëronte që i padituri Ferdinand Ruko, duhet t’i rrinte larg gruas në një distancë më shumë se dy metra, çka nënkupton se gruaja e dhunuar dhe bashkëshorti dhunues do të jetonin në një shtëpi.

Në urdhrin e Gjykatës, urdhërohej i ati që të paguante për dy fëmijët e mitur kontributin mujor në vlerë 27 mijë lekë.

Por tani, kur Urdhri i Mbrojtjes nuk i erdhi aspak në ndihmë 43-vjeçares, vendimi i Gjykatës po diskutohet jo vetëm për përmbajtjen e tij, por dhe mosekzekutimin. Kjo pasi zyrtarisht ai nuk i ishte dorëzuar policisë që në raste të tilla duhet ta zbatonte atë duke i siguruar mbrojtjen e nevojshme gruas, por as Shërbimit Social Shtetëror që mund të akomodonte gruan në qendrat e përkujdesit social.

Në fakt ekspertë të ligjit kundër dhunës në familje sqaruan se ky ligj në vetvete është problematik, pasi në shumicën e rasteve, gjykatësit urdhërojnë dhunuesin që të mos I afrohet gruas apo fëmijëve, por kurrsesi nuk mund ta nxjerrin atë nga banesa.

Gjithashtu, mungon një qendër për strehimin e kësaj kategorie grash, çka do të thotë se gjykata nuk mund të urdhërojë dërgimin e gruas së dhunuar në ndonjë ambient tjetër përveçse shtëpisë. Duke renditur edhe problematika të tjera, ekspertët ligjorë thanë se ligji “për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, mbart një sërë problemesh e për pasojë duhet ndërhyrë për tu bërë ndryshimet e duhura.

Ekspertët sqaruan gjithashtu se ka një mungesë koordinimi mes institucioneve që përfshihen në ekzekutimin e urdhrave të mbrojtjes, që në shumicën e rasteve ngelen fiktivë, thjesht të firmosur në letër.
(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb