Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë i dha Shqipërisë 3 pikët në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë, duke bërë drejtësi për ngjarjet e Beogradit.

Ky vendim u prit me gëzim të madh në mesin e shqiptarëve, ndërsa shkaktoi pakënaqësi në radhët e popullit serb. Vendimin e CAS-it e kanë pasqyruar dhe mediat ndërkombëtare, si “The Washington Post”, “The Guardian”, “Sky Sports”, “ABC News”, “Goal”, “DailyMail”.

“The Washington Post” thekson faktin se me vendimin e CAS-it për t’i dhënë Shqipërisë 3 pikë për ndeshjen me Serbinë, duke bërë kështu që Serbia të mbetet e fundit në grup me -2 pikë. Ndërsa Shqipëria ka pikë të barabarta (10) me Danimarkën, e që pozicionohet në vendin e tretë për shkak të golaverazhit më të dobët në krahasim me danezët.

Kjo gazetë thekson po ashtu se edhe dënimi me para, me nga 100 mijë euro për të dy federatat, atë shqiptare dhe atë serbe, mbetet në fuqi, edhe përkundër ankesës së parashtruar nga pala serbe.
Po ashtu, edhe përgjegjësia për dronin i mbetet Shqipërisë.

Ndërkohë, “DailyMail”, përveç se ka raportuar për vendimin e CAS-it, ka dhënë edhe një sqarim se çfarë paraqet flamuri që valoi mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit me mbishkrimin “Autochthonous”.

DM: Çfarë paraqiste flamuri?
Shqiponja dykrenare, siç paraqitet në flamurin e Shqipërisë, është vënë në mes të së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe” ku jetojnë shqiptarët. Fjala “Autochthonous” i referohet përpjekjeve të pretenduara nga Serbia për të kontrolluar Kosovën, pavarësisht se nuk janë indigjenë në rajon.

Personi në të majtë është Ismail Qemali, themeluesi i lëvizjes nacionale shqiptare dhe i shtetit modern të Shqipërisë si kreu i parë i shtetit dhe qeverisë. Në të djathtë është Isa Boletini, një figurë nacionaliste që luftoi në Kryengritjen Shqiptare më 1910 e më pas në Luftën e Parë Botërore kundër Serbisë.

Edhe “The Guardian” ka raportuar për vendimin e CAS-it ndërsa ka përfshirë edhe reagimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në lidhje me vendimin. Veç kësaj, kjo gazetë ka shkruar edhe për reagimin e trajnerit të Danimarkës, Morten Olsen, i cili ka thënë gazetës daneze “Ekstra Bladet”: “Për mua kjo është plotësisht e pakuptueshme. Gjërat me sa duket vazhdimisht po shkojnë kundër nesh”.

“ABC News” ka përzgjedhur edhe fjalët e përzgjedhësit të kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, sikurse edhe ka rikujtuar se ndeshja kthyese mes Shqipërisë dhe Serbisë do të zhvillohet më 8 tetor në Shqipëri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: