Nga Ben Andoni
Është e hidhur për t’u thënë, por në realitet është e vërtetë. Kosova s’ka asnjë autoritet mbi Veriun e Mitrovicës. Jo thjesht për faktin e trenit që provon të shtrojë linjën Beograd-Mitrovicë, porse autoriteti i qeverisë Mustafa nuk përfillet dhe ca më shumë akoma as nuk konsiderohet në atë pjesë të Kosovës.
Më turbulluese nga të gjitha të tjerat është platforma e bisedimeve kosovaro-serbe që tashmë duket komplet pa asnjë logjikë. Bashkimi Evropian kumbari i këtyre bisedimeve ka treguar se jo vetëm është konfuz, porse është mirë në dijeni të gjithë qëndrimeve serbe dhe hapave të tyre. Për referencë kemi Parkun e Mitrovicës, eufemizmin e parë të barrikadës së urës; pastaj murin, që u ngrit para syve të kosovarëve dhe tashmë edhe trenin, që ka të ngjarë të pasojë dhe krijimin e pritur të Asosacionit.
Si në të gjitha rastet e tjera, kryetarja kosovare e delegacionit të bisedimeve dhe Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Evropian për ta ndaluar trenin nisur nga Beogradi, mbushur në mënyrë provokative me shenja kundër shtetit të Kosovës. Vetëm se, përgjigja që vjen nga BE-ja është tejet cinike: “Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre”, ka pohuar Kocijançiç. Dhe vazhdimi: “Qasja konstruktive në dialog është një kërkesë esenciale për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, deklaroi zyrtarja e BE-së.
Nëse këtë do e artikulonte ndonjë institucion tjetër kjo ishte për t’u falur, porse zëdhënësja e zyrës që po merret me bisedimet tregon se BE-ja është e lodhur me dialogun, ndërsa sa i përket transportit hekurudhor duket se nuk ka qenë fare pjesë e dialogut të Brukselit.
Dhe, nuk mbaron këtu. Ç’është më e keqja: autoritetet kosovare janë fshehur pas njëri-tjetrit. Presidenti Thaçi, i sapoardhur në Kosovë, pretendon që treni s’duhet të vijë, kurse qeveria e Kosovës ka qenë fare e vakët në reagimet e saj, derisa pasoi reagimi i vonët i ministrit Hyseni që mëtonte se: “Ju siguroj që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë ligjin, në funksion të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Unë jam në Ministri me drejtorin e policisë dhe jemi duke e përcjellë situatën dhe do të veprojmë konform ligjit dhe kushtetutës”, ka thënë Hyseni. Kjo të bën të mendosh se mënyra sesi po shkarkohet faji në Kosovë të lë të kuptosh se ardhja e trenit ka kohë që përflitet në qeverinë kosovare.
Ajo që i mbetet këtej e tutje Kosovës, paçka ardhjes apo jo të trenit është zbatimi i një lloj reciprociteti, që deri më sot nuk ka funksionuar. Që do të thotë ndalimi i futjes së makinave serbe që bëjnë tregti dhe që qarkullojnë gati 1 milion euro ditore, por edhe një bojkot masiv të prodhimeve sllave. Gjëra që janë larg konjukturave të momentit në Kosovë.
Fatkeqësisht, Veriu i Kosovës me komunat e saj është jashtë autoritetit të qeverisë Mustafa, por edhe ligjeve të prodhuara nga parlamenti. Muri dhe treni janë treguesit më të mirë të këtij realiteti. Nëse këtë e dinë të gjithë, vetë zyrtarët e Kosovës nuk ia kanë idenë se në çfarë kaosi po e fusin Kosovën dhe bashkë me të edhe Shqipërinë e gjithë rajonin. Ndërkohë që parlamenti i Kosovës me dështimet e tij të pafundme po tregon se ligjvënësit e saj gati po shkatërrojnë një ëndërr, që u bë realitet me shumë gjak.
E nëse ata dështuan të krijojnë forcat e ushtrisë, të bëjnë një rezolutë për Haradinajn, ato që parashikohen të vijnë më pas janë të dhimbshme. Kosova dhe shqiptarët duhet të zgjohen, tashmë u duhet patriotizmi dhe ta zhveshin njëherë e mirë folklorizmin. (Javanews)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb