Në Shqipëri janë të pakta klubet plotësisht private. Konkretisht, në Superiore janë vetëm tre klube që nuk marrin financime nga bashkitë, Kukësi, Partizani dhe Flamurtari. Ekipe që mbahen vetëm nga pronarët që i zotërojnë, ndërsa në rastin e Kukësit, suksesi ka qenë shumë i madh gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, edhe në rastet ku shumica e aksioneve i takon një privati, siç është Skënderbeu, Teuta, Laçi apo Luftëtari, menaxhimi është shumë i mirë dhe gjenerohen shumë të ardhura.

RASTI LUFTËTARI
Skënderbeu bëri revolucion në futbollin shqiptar për sa i përket mënyrës së menaxhimit të një klubi. Korçarët ishin të parët që shkuan në Europë dhe nisën të shisnin lojtarë të talentuar duke fituar miliona euro.

Por, rasti më i fundit i suksesit është Luftëtari. Deri përpara dy vitesh kur u rikthye në Superiore, klubi gjirokastrit që financohej 100% nga Bashkia e Gjirokastrës, në shumicën e rasteve luante në Kategorinë e Parë, ndërsa provonte Superioren minimalisht vetëm për 1 vit.

Tashmë që shumica e aksioneve zotërohen nga një privat, klubi jo vetëm që prej dy sezonesh nuk e diskuton mbijetesën, por tashmë është vetëm një pikë larg Europës. Gjithashtu, drejtuesit kanë nisur të fitojnë edhe falë shitjes së futbollistëve jashtë Shqipërisë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/vetem-3-klube-private-ne-shqiperi-dhe-rasti-luftetari-si-shembull-suksesi/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb