TIRANE– Pas pastrimit të figurës së përfaqësuesve të drejtësisë, përmes Vettingut, tashmë fokusi është kthyer edhe tek pastrimi i figurës së punonjësve të policisë. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka prezantuar sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare draftin për projektligjin “Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, në Ministrinë e Brendshme (Vetting-u)”.

Xhafaj tha para anëtarëve të komisionit se me këtë proces synohet evidentimi i personave të inkriminuar në radhët e policisë.

Duke e cilësuar vettingun në polici është një domosdoshmëri, ministri Xhafaj bëri me dije se procesi i vlerësimit kontrollon figurën dhe pasurinë e punonjësve të policisë.

“Morëm në konsideratë analiza e raporte të institucioneve europiane, prokurorisë së përgjithshme, si edhe nga vetë punonjësit e e policisë. Qëllimi, krijimi i institucioneve të besueshme. Procesi i vlerësimit kontrollon figurën dhe pasurinë e punonjësve të policisë. Synimi ynë është promovimi i punonjësve të ndershëm. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i paanshëm”, tha Xhafaj.

Më tej ai shtoi se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen jo vetëm punonjësit e policisë në detyrë, por edhe ata ish-punonjës që janë larguar nga uniforma blu.

“Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen ata që kanë gradë policore dhe me vullnetin e tyre edhe ish-punonjësve të policisë që u lejohet rikthimi në detyrë. Mund të rikthehen ata punonjës që larguar nga rikonstruktimi i strukturës në kohë të ndryshme. Edhe ata që janë larguar nga detyra, por që kjo masë është hequr me vendim gjykate”, u shpreh ministri Xhafaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb