Partizani nuk gabon dhe në javën e 26-të të Kategorisë Superiore mposht 2-0 në “Selman Stërmasi” Korabin e vendit të fundit.

Të kuqtë zgjidhën gjithçka brenda dy minutash: autogoli i Prençit zhbllokoi lojën në minutën e 31-të, ndërsa në aksionin pasardhës Ekuban e bëri të sigurt suksesin e kryeqytetasve pas një kombinimi të bukur me Bardhin.

Me këtë fitore skuadra e Sulejman Starovës e sheh veten për herë të parë në krye të renditjes këtë sezon. Pesëmbëdhjetë herë kampionët e vendit kanë 52 pikë së bashku me Kukësin, +2 nga Skënderbeu.

Kurse Korabi, në kuotën 12, nuk ka thuajse asnjë shans për të mbijetuar.

Minutë pas minute

90+3′ Mbyllet ndeshja në “Selman Stërmasi”, fiton Partizani 2-0.

90+2′ Xhevahir Sukaj është i ndëshkuari i dytë i Partizanit. Sulmuesi shkodran merr të verdhë për një faull në mesfushë.

89′ Ekuban çon dëm një tjetër shans për të thelluar avantazhin e të kuqve. Pasi shmang bukur Prençin, sulmuesi niset drejt portës, por mbrojtësi Kaja dhe portieri Laço e ndalin para se të godasë.

87′ Emiliano Vila shmang dy mbrojtës dhe depërton në zonë, por në momentin e fundit Laço i thotë “jo”.

85′ Metju Bonifejs shpërdoron një mundësi të mirë për shënim. Sulmuesi futet bukur në zonë, por në gjuajtjen e fundit ndalet nga portieri Laço. Ndërkohë, Sukaj priste një pasim në qendër.

82′ Kaleb Ekuban merr karton për lojë të rrezikshme ndaj Gavazajt në mesfushë.

76′ Partizani i pafat, pasi gjuajtja me kokë e Ibrahimit ndalet nga traversa.

74′ Jubani del për t’i bërë vend Xhon Marinajt në ndërrimin e tretë të Korabit.

73′ Tjetër rast për dibranët. Përsëri provon Jubani, kësaj here nga brenda zonës; topi shkon ngjitur me shtyllën.

71′ Vjen momenti i Xhevahir Sukajt. Autori i 21 golave sezonin e shkuar debuton me fanellën e kuqe pas rikthimit nga Malajzia.

69′ Korabi bën gjuajtjen e parë në portë. Daniel Jubani tenton nga distanca, por goditja e tij është e lehtë dhe qendrore. Pret pa problem Alban Hoxha.

66′ Alfred Zefi merr karton të verdhë për një faull në mesfushë ndaj Marko Cetkoviçit, ish-shok skuadre në kohën e Laçit.

65′ Partizani bën zëvendësimin e parë: jashtë loje Jurgen Bardhi, futet Metju Bonifejs.

65′ Korabi i afrohet portës së kuqe nga loja e ndaluar. Sokol Mziu provon të majtën nga rreth 25 metra, por gjuajtja e tij shkon jashtë dhe pa kërcënim për portierin Alban Hoxha.

56′ Ekipi kryeqytetas i afrohet sërish golit. Realdo Fili ka një tjetër mundësi, por gjuajtja e tij nuk gjen katërkëndëshin kundërshtar.

50′ Pjesa e dytë nis me një rast të rrezikshëm në portën e Korabit. Realdo Fili hedh një top në zonë nga loja e ndaluar, i cili shkon drejt në portë, ku Ted Laço është i vëmendshëm dhe e grushton.

46′ Korabi bën zëvendësimin e dytë në pushimin mes pjesëve. Në stol ulet Paolo Ivani, në lojë Geraldo Kaloshi. Emrush kaloshi del përpara si sulmues i vetëm. Asnjë ndryshim, ndërkaq, në radhët e Partizanit.

Pjesa e parë

45+1′ Pjesa e parë mbyllet me një tjetër rast për Ekubanin, i cili i ka të gjitha mundësitë brenda zonës por gjuan lart.

45′ Karton i verdhë edhe për mbrojtësin Veton Shabani, për një ndërhyrje ndaj Trashit.

38′ Mundësi për Partizanin për të thelluar epërsinë pas një kundërsulmi tre kundër tre. Mirëpo në momentin e fundit, portieri laço bllokon Vilën në dalje.

36′ Kapiteni i Korabit, Sokol Mziu, është i ndëshkuari i parë i ndeshjes.

32′ GOL! Tjetër gol i të kuqve. Kombinim i bukur Ekuban – Bardhi – Ekuban, me këtë të fundit që mposht Ted Laçon me një të djathtë nga kufijtë e zonës që shkon në cepin e majtë të portës. Goli i 11-të në kampionat për sulmuesin italo-ganez, i cili rigjen rrugën e rrjetës pas tri javesh “agjërim”.

31′ GOL! Partizani në avantazh. Pas një pasimi në zonë prej Filit nga e djathta, topi përplaset në trupin e qendërmbrojtësit Elvis Prençi dhe përfundon në rrjetë.

17′ Minuta të qeta, me Partizanin që ka kontrollin e lojës, por pa mundur të rrezikojë portën kundërshtare.

7′ Zëvendësim i detyruar për skuadrën dibrane. Ardit Peposhi lë fushën pas një dëmtimi dhe vendin e tij e merr Emrush Kaloshi.

3′ Partizani jep sinjalin e parë me Jurgen Bardhin. 19-vjeçari provon me të djathtën nga brenda zonës, por gjuajtja e tij qendrore pritet nga Ted Laço.

1′ Topin e parë nga mesi i fushës e luajnë futbollistët e Korabit Korabi

Korabi 0 – 2 Partizani (Prençi 31′-aut., Ekuban 32′)

Korabi (4-1-4-1): Laço; Shabani, Prençi, Kaja, A.Peposhi (E.Kaloshi 7′); Zefi; Jubani (Marinaj 74′), Gavazaj, Arifaj, Mziu; Ivani (G.Kaloshi 46′).
Trajner: Gerd Haxhiu

Partizani (4-3-3): Hoxha; Fejzullahi, Ibrahimi, Malota, Trashi; Ramadani, Vila, Cetkoviç; Bardhi (Bonifejs 65′), Fili (Sukaj 71′), Ekuban.
Trajner: Sulejman Starova

Gjyqtar: Laver Alla

KV: Mziu, Shabani, Zefi / Ekuban, Sukaj

(Panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: