Rubrika zbavitëse në emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 ka sjellë të tjera momente pikante nga jeta politike në vend përgjatë javës që lamë pas. Rubrika hapet me kreun e PD-së Lulzim Basha që tundet ndërsa flet në ‘çadrën e lirisë’.

Më pas kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe që me sa duket nuk e lë të qetë çadra dhe kapet me zv/ministrin e Ekonomisë, Ervin Metet që me sa duket se kishte bërë punën e tij mirë. “Për ça jam unë këtu, ça jam? Çadra jam? Çadra jam unë këtu që të dëgjoj të bëjnë humor”, – e pyet Braçe, zv/ministrin raporton “BalkanWeb”.

Videoja vazhdon me debatin e fortë në parlament mes kreut të LIBRA-s, Ben Blushi dhe Kryeministrit Edi Rama që mori në mbrojtje ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Pavarësisht se në të shumtën e herëve, Rama shfaqet indiferent ndaj akuzave të Blushit, këtë herë kryeministri është vënë në siklet dhe kruan kokën. Për pak minuta debat, fjala ‘turp’ mes treshes Blushi-Nikolla-Rama përsëritet disa herë.

E ky debat ngërthen edhe deputetin Braçe, të cilit i del nga goja një ‘kulmi’ pas gjithë atyre replikave të ashpra në parlament.

Ndërsa Nikolla kërkon të marrë fjalën, Rama i thotë ‘rri aty’ ministres ndërsa i kërkon Blushit të largohet nga foltorja.

Kamera e “News24” ka kapur edhe një dialog ‘të këndshëm’ mes kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama dhe deputetit të LIBRA-s Ben Blushi por…një “Big Brother’ i vëzhgon. Është Gramoz Ruçi që kalon serbes-serbes pranë tyre.

Papritur një sms vjen në telefonin e Blushit. Personazhi është analisti Andi Bejtja i cili i shkruan deputetit.

Andi Bejtja: E gjithë kjo sot tregon se je rrit sondazhe. Mos e rruj. Organizim
Ben Blushi i përgjigjet: Unë i kam bërë m**, e ndoqe
Andi Bejtja: Po, po të gjithë
Ben Blushi: Si t’u duk?
Andi Bejtja: Qe sulm i organizum.

Më pas një tjetër sms për Blushi. Këtë herë është Henri Çilin.
Henri Çili: Përshtati pra Blush! Sistemi i ri i bursave me ligjin e ri do t’i japë atyre që nuk munden dhe të pasurve do t’i detyrojë të paguajnë studimet dhe të ndalojnë t’i marrin studimet falas që t’ia heqin të drejtën këtij të varfrit! Ka humb çdo logjikë në debatin e arsimit të lartë. Henri.
***
Nuk mungon as një përqafim e puthje e ngrohtë mes kreut të kuvendit Ilir Meta dhe ministres së Arsimit Lindita Nikolla, me të cilën ditët e fundit bashkëshortja e kryeparlamentarit Monika Kryemadhi ka shkëmbyer edhe replika në distancë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: