NGA KLODIANA LALA

Burgu i Zaharisë në Krujë, që ndodhet vetëm 15 kilometra larg Tiranës, pa frikë mund të konsiderohet si burgu-ferr. Jo pak, por 230 të dënuar të izoluar në këtë burg, janë lënë të mëshirë të fatit, të braktisur nga familjet, shoqëria, shteti, por edhe gjeografia.

Për afro 4 kilometra, pasi kalon qytetin e Krujës, rruga që të shpie në burgun e Zaharisë, është tërësisht e dëmtuar, çka ka sjellë edhe një izolim e braktisje me të thellë për këta njerëz, të cilët ngrysin ditët në burgun e degdisur.

Të dënuarit e izoluarit në qelitë e godinës thuajse të rrënuar, janë të sëmurë të shëndetit mendor, para apo tetraplegjikë si dhe të moshuar mbi 65 vjeç.

Secili prej këtyre njerëzve bart mbi supe barrën e një krimi të rëndë.
Historitë e gjithsecilit prej tyre janë të trishta. Por, krahas sëmundjeve e dënimit të drejtësisë, këta të dënuar vuajnë edhe izolimin në kushte ekstreme, ku nuk kanë as kushtin më minimal.

***

“Nga larg godina e lyer me të verdhë e të kuqe njëherësh të jep idenë e një kampi përqendrimi. Telat me gjemba shquhen që larg. Për vite me radhë godina ka shërbyer si spital psikiatrik që administrohej nga Ministria e Shëndetësisë. Në vitin 1999 në ambientet e kësaj ndërtese u akomoduan refugjatë të ardhur nga Kosova. Pas largimit të refugjatëve godina kaloi në administrim të Ministrisë së Drejtësisë, e cila e përshtati në burg. Në gusht të vitit 2002 në të u izoluan të dënuarit e parë. Si në asnjë burg tjetër në dyert e jashtme të Zaharisë gjejmë vetëm familjarët e një të dënuari. Pak minuta më vonë, stafi i edukimit dhe punonjësit e policisë na shpjegojnë se 80% e të dënuarve janë braktisur nga të afërmit e tyre.

DËSHMIA E FAMILJARIT

Sa herë në muaj vini për të takuar të afërmit tuaj?

Jemi të detyruar të vijmë të paktën 1 herë në javë, 4 herë në muaj.

Sa e vështirë është për ju të kaloni gjithë këtë rrugë të shkatërruar?

Nga qyteti deri këtu është vështirësia më e madhe. Taksia është e shtrenjtë. Rruga është shumë e keqe. Jemi të detyruar të paguajmë 10-fishin e biletës që të arrijmë të takojmë pacientët që ndodhen këtu.

Prej sa kohësh vini këtu?

Kemi 8-9 muaj dhe se dimë nuk e dimë se sa do vazhdojë më gjatë. Burokracia dihet, tek shteti, tek institucionet e tij dhe s’na përgjigjet njeri.

I afërmi juaj është me probleme mendore apo është i dënuar?

Thjesht është me probleme mendore. kaq.

Po merr sipas jush trajtimin e duhur në këtë institucion?

Nuk e besoj se po të merrte trajtimin e duhur do reagonte pak më ndryshe.

***

Sapo shkel në regjimin e brendshëm të burgut, përballesh me mjerim. Mure të plasaritura dhe të palyera. Mbeturina të hedhura kuturu. Copa buke të thara, rroba të shpërndara gjithandej. Të dënuar të shtrirë në krevate marinari, pa çarçafë, të mbuluar me batanije të grisura dhe të palara, të veshur keqas dhe të parruar.

Brenda mureve të godinës, infrastruktura e së cilës është plotësisht e rrënuar ndodhen 114 të dënuar që vuajnë nga probleme të rënda të shëndetit mendor, 96 të dënuar të tjerë, të paktën 10 prej të cilëve me aftësi të kufizuara si para apo tetraplegjikë, si edhe të moshuar mbi 65 vjeç. Situata në këtë burg është dramatike. Përpjekjet e drejtuesit të burgut, Abaz Lleshi si edhe stafit që drejton për ta përmirësuar këtë situatë kanë dhënë pak rezultat. Në muajin qershor burgu është dezinfektuar dhe pastruar por ndonëse kanë kaluar vetëm pak muaj muret janë të ndotura, dyshemeja po ashtu, ndërsa mbizotëron myku dhe lagështira.

SEKTORI A

Në atë që quhet sektori A, asnjë prej të dënuarve nuk mund të flasë për shkak të papërgjegjshmërisë mendore. Këta të dënuar vuajnë izolimin mes kushteve të vështira, mes pisllëkut dhe lagështirës dhe plagën e rëndë të mbipopullimit.

Irma Ferhati, përgjegjëse e kujdesit social tregon se gjithë barra për t’u kujdesur për këtë kategori të dënuarish i bie stafit të burgut.

Vijnë familjarët t’i takojnë këta të dënuar?

Shumicën prej tyre jo. Rreth 80% të tyre jo. Një ndër shkaqet kryesore janë problemet mendore të të dënuarve, të cilët për shkak të deluvioneve, halucinacioneve nuk pranojnë t’i takojnë, mendojnë se familjet janë shkaktarë që i kanë sjellë këtu.

Së dyti janë, edhe gjendja familjare. Shumica prej tyre kanë familje në gjendje të mjerueshme familjare. Dhe së treti, rruga që ju e patë vetë që është jashtë kushteve. Ne mundohemi ti ofrojmë kushte aq sa mundemi, pothuajse minimale, me rroba, me anë të OJQ-ve, kryesisht me ndihmat e shoqatave kristiane dhe motrave “Nënë Tereza”.

SEKTORI B

Në sektorin B ku vuajnë dënimin personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, problematika është gjithashtu e madhe. Ankesat e të dënuarve në këtë sektor janë të shumta, duke filluar që nga mungesa e ilaçeve deri tek mungesa e personelit për t’u kujdesur për ta.

Sulejman Dervishi është një prej të dënuarve që ka nevojë për përkujdesje 24 orëshe. I dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik hashashi i mbetur në tentativë babai i 2 fëmijëve i bën thirrje drejtësisë ta nxjerr në liri. Ai thotë se Zaharia është një ferr!

Si trajtoheni këtu?

Në mënyrën më çnjerëzore. As edhe një lloj kushti, as ilaçe, ushqim i papërshtatshëm, infrastruktura e papërshtatshme. Izolim total.

Nga çfarë vuani?

Jam me distrofi muskulore, tetraparez inflaksive. Domethënë mungesë të ndjeshmërisë të 4 gjymtyrëve. Konkretisht nuk kam asnjë lloj problemi me personelin por është i pamjaftueshëm. Është një sanitar për mbi 200 persona që janë të gjithë për sanitar. Një sanitar në 24 orë.

Nëse gjykata do të nxirrte në liri, kush do kujdesej për ju?

Kam familjen, kam nusen, kam nënën, kam motra, kam vëllezër. Kam të gjithë ata që janë kujdesur. Kam 30 vjet me këtë diagnozë. Nuk është se më ka munguar ndonjëherë shërbimi.

Sulejmani tregon se i hyri rrugës së trafikut nga pamundësia ekonomike dhe nga nevoja për të siguruar bukën e gojës për 2 fëmijët e mitur. Dikur kishte pagesën e kempit por tashmë edhe ato qindarka ja kanë hequr.

Ka 2 vjet që më kanë hequr kempin dhe pagesën e paaftësisë 250 mijë lekë. Edhe nuses ia kanë hequr. pamundësia për të qenë prezent në komision. Sepse vendimi i gjykatës thotë që s’duhet të më hiqej, vetëm pagesa e shoqëruesit duhej të më hiqej, jo e imja.

***

Fotaq Zaharia që dikur cilësohej si “I tmerrshmi i Vlorës”, i dënuar për grabitje me armë dhe pengmarrje është një tjetër banor në Zaharinë e tmerrit.

Njeriu që për vite me radhë ngjallte frikë e terror gjatë përplasjeve me policinë vite më parë, mbeti i plagosur në këmbë dhe nëse nuk operohet menjëherë ai rrezikon të paralizohet përjetë.

“Një operacion specifik, shumë i ndërlikuar, i vërtetuar nga mjekësia ligjore me gjithçka, por realisht nuk është bërë asgjë”.

Merrni trajtim mjekësor këtu në burg?

Realisht asnjë aspirinë, as jodio as fasho, ça të them unë ty. Absolutisht asgjë!

Po kushtet si i vlerësoni?

Skandaloze! Më keq se kaq nuk ka ku të vejë. Familjarët vijnë shumë rrallë, shumë shumë rrallë se jetojnë vetëm me një asistencë (përlotet). Shumë rrallë se s’kanë për bukën e gojës, jo më pastaj të ndjekin problemet e mia.

***

Pas më shumë se 3 orësh qëndrimi në qeli, grupi i xhirimit të News24 vendos të largohet nga burgu i Zaharisë. 230 të dënuarit që kanë nevojë për kujdes shëndetësor e psikologjik i lëmë pas në mëshirë të fatit në dorën e një grupi njerëzish që bëjnë jo pak, por pak kanë në dorë të bëjnë. Secili prej këtyre personave po vuajnë dënimin e drejtësisë, ashtu siç ajo ka folur por shteti duhet të marrë masa që izolimi i tyre të mos kthehet në ferr. Shteti sot, më shumë se kurrë duhet të kthejë sytë nga këta njerëz të braktisur nga të gjithë. Ka dy rrugë ose të investohet në Zahari ose qelive t’u vihet kyçi njëherë e përgjithmonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: