Mbyllet me fitore faza përgatitore e Interit: në miqësoren e fundit përpara nisjes së kampionatit, zikaltrit e Luçiano Spaletit kanë mposhtur spanjollët e Betisit me rezultatin 1-0, falë një goli me penallti të Mauro Ikardit.

Mbrëmjen e djeshme, ku shiu ka qenë protagonist, ka pasur vend edhe për debutimin e brazilianit Dalbert, i aktivizuar si titullar në krahun e majtë, në modulin 4-2-3-1 të Spaletit, me D’Ambrozion në të djathtë dhe dyshen Shkrinjar-Miranda në qendër. Vesino dhe Borha Valero përpara mbrojtjes, me Kandrevën, Zhoao Marion e Perisiçin pas krahëve të Ikardit.

IKARDI NGA PIKA E BARDHË – Kundër spanjollëve, të cilët fituan kundër Milanit në miqësoren e tri ditëve më parë, është parë një Inter pozitiv, edhe pse ritmi i lojës (ku ndikoi edhe shiu) nuk ka qenë shumë i lartë dhe në prapavijë i është lënë ndoshta hapësirë e tepërt kundërshtarëve.

Zikaltrit u shfaqën më të rrezikshëm në pjesën e parë: Perisiçi pati rastin e parë të rrezikshëm në minutën e 20-të, duke vënë në provë portierin Adan. Tetë minuta më pas, do të jetë gardiani që shkakton 11-metërshin e shndërruar në gol nga Ikardi.

Kapiteni zikaltër, i freskët nga grumbullimi me përfaqësuesen e Argjentinës për ndeshjet kualifikuese të Botërorit (ku do të kenë përballë Uruguain dhe Venezuelën), nuk ka gabuar dhe ka dërguar rezultatin në 1-0.

TË PAMPOSHTUR – Në pjesën e dytë, Spaleti i jep hapësirë Ederit, duke e zëvendësuar me vetë Ikardin dhe italiani e konfirmon edhe një herë se është një nga lojtarët më në formë të ekipit. Në minutën e 56′ goditja e tij përfundon shumë pranë me shtyllën dhe merr duartrokitjet e tifozëve, të cilët nuk i kursejnë as për Borha Valeron në momentin e zëvendësimit me Brozoviçin.

Ish-mesfushori i Fiorentinës, i ardhur në këtë seksion merkatoje, ka bindur trajnerin në rolin e regjisorit. Pas një orë loje, Interi (pas shumë zëvendësimesh) e ul rendimentin dhe Betisi përfiton duke rrezikuar disa herë portën e Handanoviçit.

Rezultati mbetet i palëvizur, ndërsa bilanci i miqësoreve i buzëqesh Spaletit, që i afrohet debutimit në kampionat i pamposhtur: shtatë fitore dhe një barazim. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb