NGA: FATMIRA NIKOLLI
Të shkolluar në universitete të njohura të Europës Perëndimore, njohës të disa gjuhëve të huaja, ata ishin përkthyes, poetë, shkrimtarë, dramaturgë, shkencëtarë, studiues të kulturës popullore. Janë pushkatuar, janë vrarë apo kanë vdekur për shkak të torturave sepse kundërshtuan komunizmin dhe nuk mohuan fenë. Papa Françesku ka firmosur në prill dekretin që shpalli zyrtarisht martirizimin e 38 Martirëve të Kishës katolike të vdekur në vitet 1945-1974 nga regjimi komunist në Shqipëri.
Mes tyre, janë ipeshkvinj, meshtarë dioqezanë, françeskanë e jezuitë, një aspirante stigmatine dhe besimtarë laikë.

“News 24” ka marrë dëshmitë dhe kujtimet e familjarëve të martirëve. Martiri i parë, Vinçenc Prennushi ishte eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes i romaneve të Ëisman, Sinkieviç, Ëeber dhe Pelico. Mbesa e tij, Gertruda, e kujton të kthehej në shtëpinë e Prenushëve, ku ajo i ulej në gjunjë dhe i puthte unazën. Ende sot, në moshën 80-vjeçare, Gertruda, mban mend përmendësh një poezi të xhaxhait që ia ka mësuar ai. Imzot Prennushi, ishte Arqipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit kur u arrestua. Asnjëherë nuk kish dashur të merrej me politikë, madje, e kish refuzuar të bëhej pjesë e parlamentit. Ai refuzoi po ashtu kërkesën e Enver Hohës që Kisha shqiptare të shkëputej nga Selia e Shenjtë për ta vënë në funksion të shtetit komunist. Kjo çoi në arrestimin e tij më 1947.

Imzot Vinçenc Prennushi dha shpirt më 19 mars 1949 në një birucë burgu. Sipas Arshi Pipës, ishte një natë e errët dhe e acartë dhe ai vdiq duke kërkuar “më shumë dritë” pa hequr dorë nga ato në të cilat besoi dhe mbrojti. Një tjetër martir që ka mbetur i paharruar në kujtesën e popullit është Dom Dedë Malaj. Në gjyqin e zhvilluar publikisht me katër fortafolës në Kinema Republika në Shkodër, ai do ta akuzonte hapur regjimin komunist, duke paralajmëruar edhe varfërinë që do sillte e duke e krahasuar Enver Hoxhën me Stalinin. I njëjti gjyq, e dënoi me vdekje edhe sepse, ai pat kundërshtuar vënien e kishës në funksion të shtetit.

Mbesa e tij, Drande Malaj e kujton e përlotur gjyqin. Vetëm 13 vjeçe, ajo merr guximin të kërkojë faljen e xhaxhait para Nexhmije Hoxhës në Tiranë. Ndërsa priste përgjigje, ajo e takon xhaxhanë për herë të fundit për të marrë prej tij, porositë e amanetet, ku i tha të sillej mirë, e të kujtonte gjithnjë të parët e saj. Një telegram i refuzon kërkesën për falje dhe më pas, Drande Malaj mëson se Dom Dedë Malaj u pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç. Në vitet 1990, ajo kërkoi dhe gjeti eshtrat e tij, në livadhin ku qe pushkatuar. Drande Malaj është me fat. Shumë prej martirëve, nuk dihet se ku prehen.

E bija e laikut Fran Miraka, Filja, nuk di ende sot se ku gjenden eshtrat e të atit. “Nuk e dimë ku janë. Është pushkatuar te Varrezat e Rrmajit bashkë me meshtarët dhe nuk dihet ku ka shkuar trupi”.
Fran Miraka bashkë me martirë të tjerë, janë pushkatuar pranë Varrezave të Rrmajit. Dom Artur Jaku, famullitar i katedrales së Shën Shtjefnit tregon se të burgosurit merreshin nga ish-Dega e Brendshme dhe vriteshin në fund të varrezave, pranë një peme. Tanimë, 50 vite pas vrasjes së tyre, ata “rikthehen” për tu nderuar. Mesha e 5 nëntorit në katedralen e Shën Shtjefnit që shënoi Lumturimin e tyre, u rijep vendin që u takonte. Atë Serafin Koda, ishte nga Kosova. U arrestua më 1946 dhe vdiq i mbytur në gjak nga torturat më 1947. Sipas Muzeut të Memories online, torturat ishin të shumëllojshme, fizike dhe psikologjike, nga dëmtimet e rrahjet deri tek përdorimi i korentit.

Gertrudë Prennushi kujton se xhaxhait të saj, Monsinjor Prennushit i kanë vënë një shpinë, një kryq të madh që të bënte “udhën e Krishtit” me kryq në shpinë. Ndërsa, Dom Artur Jaku, thotë se martirët torturoheshin, pushkatoheshin e mandej, vriteshin pranë Varrezave të Rrmajit. “Këtu kalon lumi Kir. Disa thuhet janë varros pranë lumit dhe i kanë marrë Kiri eshtrat”.

Shumë klerikë u burgosën. Disa lanë pas dorëshkrime e vepra që ndonjë ditë do i shohim të botuara. Disa u vranë e disa ia dolën të mbijetojnë duke dalë të gjallë prej burgut për të dhënë dëshmitë e persekutimit, e vuajtjes dhe mesazhet e faljes. Çdonjëri prej tyre rrnoi për me tregu, siç do të shkruante At Zef Pllumi një prej klerikëve që njohu burgjet dhe dhunën komuniste në lëkurën e tij.
Në kishën e Zojës Nunciatë është famullitar At Vitor Demaj. Ai ka jetuar katër vite me At Zef Pllumin dhe na tregon se çfarë ka mësuar prej tij. “Gjithmonë duhet më pasë shpresë e asnjëherë nuk duhet me e humb shpresën, thoshët Pater Zef Pllumi”. Martirët dhe familjarët e tyre i kanë falur persekutorët. Pranë ditës së Lumturimit, kujtesa, dëshmitë dhe shembulli që lanë pas, na shërbejnë më së shumti ne të gjallëve, sepse kush harron është dënuar të ripërsërisë gabimet.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb