Luftëtari gabon në shtëpi, aty ku Laçi i merr një barazim të çmuar. Në Gjirokastër përfundon 1-1, rezultat që gëzon miqtë kurbinas dhe lë të zhgënjyer bluzinjtë.
Në fakt, takimi i javës së 23-të të Kategorisë Superiore nisi mbarë për Luftëtarin, që gjeti avantazhin me një penallti të Behar Ramadanit në minutën e 14-të.

Miqtë u përgjigjën me një shtyllë të Lulajt, ndërsa në pjesën e dytë e përmirësuan ndjeshëm lojën dhe gjetën barazimin me Fjoard Jonuzin në të 64-n.

Minutat e mbetura sollën luftë të ashpër dhe plot kartonë, me miqtë që e luajtën çerekoren e fundit me një futbollist më pak pas daljes së Regi Lushkjës me dy kartonë të verdhë.

Me pikën e marrë Luftëtari ngjitet në kuotën 29 dhe rrezikon të parakalohet nga Tirana në pozitën e katërt. Kurse kurbinasit renditen të tretët nga fundi me 22 pikë.

Minutë pas minute

90+5′ Përfundon loja, Luftëtari 1 – 1 Laçi.

90+2′ Porta e laçit shpëton nga dy raste të rrezikshme njëra pas tjetrës. Presioni i skuadrës vendase nuk sjell rezultat.

90′ Bledar Sinella bën edhe ndërrimin e fundit për të fituar sekonda: jashtë loje Serxho Zhunior, në lojë Eglantin Gjoni.

90′ Pas disa paralajmërimeve, arbitri nuk e fal portierin Selmani, për të cilin ka karton të verdhë për vonesa të lojës.

86′ Laçi bën zëvendësimin e dytë. Alush Kanapari i merr vendin Emanuel Mensah.

82′ Luftëtari kërkon fitoren dhe trajneri Milinkoviç fut në lojë sulmuesin Eri Lamçja në vend të mbrojtësit Vangjel Zguro.

82′ Drilon Musai i shtohet listës së të ndëshkuarve. Mesfushori i miqve sheh kartonin e verdhë për protesta.

78′ Ashpërsohet loja në këto minuta. Taulant Sefgjini pengon Rrocën nga prapa dhe gjyqtari nuk e fal: karton i verdhë edhe për mbrojtësin kurbinas.

76′ Karton i kuq për Lushkjën. Mesfushori i Laçit ndëshkohet me të verdhin e dytë për një ndërhyrje të parregullt ndaj Zguros.

73′ Milinkoviç bën lëvizjen e dytë: jashtë Abazaj, në vend të tij Donald Rapo.

71′ Shkon në katër numri i kartonëve të verdhë për vendasit. Eduart Rroca ndëshkohet për një faulli në mesfushë ndaj Lushkjës.

70′ Laçi merr zemër pas golit dhe sheh më tepër drejt portës vendase. Arbër Shala ka një rast të mirë, megjithatë kthesa e tij me të majtën n zonë gjen të përgatitur portierin Ruçi.

64′ GOL! Barazon Laçi. Fjoard Jonuzi mposht Ruçin me një të djathtë tokazi nga distanca, i ndihmuar edhe nga devijimi i qendërmbrojtësit Bojom. Vetëm pak sekonda para golit, portieri gjirokastrit i kishte mohuar golin mesfushorit dy hapa larg portës.

63′ Vangjel Zguro është i ndëshkuari i radhës.

60′ Luftëtari përgjigjet me Dejvi Bregun, i cili godet me të djathtën nga hyrja e zonës, por Selmani i mohon golin me një pritje spektakolare.

59′ Laçi i afrohet portës kundërshtare dhe kërcënon me Drilon Musain. Mesfushori gjuan nga larg me të majtën, por topi shkon fare pranë shtyllës pas devijohet nga Bojom.

53′ Erjon Vucaj provon të djathtën nga një goditje e lirë pranë zonës, mirëpo topi i goditur prej kapitenit kurbinas shkon sipër traut të portës vendase.

52′ Pjesa e dytë nis e qetë, me lojën të përqendruar kryesisht në mesfushë.

46′ Pushimi nuk sjell ndryshime në formacionet e skuadrave. Lojtarët janë po ata që e mbyllën pjesën e parë.

Pjesa e parë

45+1′ Mbyllet gjysma e parë e lojës me vendasit në epërsi.

41′ Ndërrim i detyruar për skuadrën gjirokastrite. Autori i golit, Behar Ramadani, ka probleme dhe detyrohet të lërë fushën. Në lojë Usama Mutumane.

41′ Kartonit të verdhë nuk i shpëton as Harallamb Qaqi për një ndërhyrje të parregullt ndaj Bregut.

36′ Mundësi e mirë për ekipin vendas. Eduart Rroca provon me një të majtë të bukur nga kufijtë e zonës, por gjuajtja e tij shkon ngjitur me shtyllën.

34′ Bledar Sinella nuk pret dhe bën zëvendësimin e parë. I riu Fangaj, i cili shkaktoi penalltinë, po haste vështirësi përballë Bregut në të djathtë të mbrojtjes. Vendin e tij e merr një lojtar me përvojë si Taulant Sefgjini.

33′ Dejvi Bregu kapet në pozicion jashtë loje dhe proteston ndaj anësorit. Arbitri kryesor nuk e fal dhe i nxjerr kartonin e verdhë.

31′ Laçi i pafat, teksa shtylla i mohon golin Bruno Lulajt.

27′ Barazohet numri i kartonëve të verdhë. Regi Lushkja ndëshkohet pasi ndalli në mënyrë të parregullt Eduart Rrocën.

25′ Kristal Abazaj është i ndëshkuari i parë i ndeshjes, pas një faulli në mesfushë.

15′-25′ Laçi nuk ka qartësinë për të rrezikuar portën kundërshtare pas golit të pësuar, ndërkohë që vendasit administrojnë avantazhin me qetësi.

14′ GOL! Luftëtari në avantazh. Behar Ramadani është i saktë nga 11 metrat, edhe pse Gentian Selmani e kupton krahun madje edhe e prek topin, por pa mundur ta ndalë.

13′ Penallti për Luftëtarin. Abdurrahman Fangaj pengon Dejvi Bregun në zonë dhe gjyqtari Remzi Sadiku tregon gishtin nga pika e penalltisë.

9′ Beqaj hedh krosim top në zonë nga një goditje dënimi nga e djathta e sulmit të Luftëtarit. Askush nuk e prek topin, që përfundon në duart e Selmanit.

2′-7′ Vendasit provojnë të marrin kontrollin e lojës në minutat e para.

1′ Vërshëllima e Remzi Sadikut i jep udhë ndeshjes. Topin e parë e luan Laçi.

Luftëtari 1 – 1 Laçi (Ramadani 14′-p. / Jonuzi 64′)

Luftëtari (4-2-3-1): Ruçi; Liçaj, Beqiri, Bojom, Zguro (Lamçja 82′); Rapa, Ramadani (Mutumane 41′); Bregu, Rroca (Rapo 73′), Abazaj; Rexhinaldo
Trajner: Mlladen Milinkoviç

Laçi (4-2-3-1): Selmani; Fangaj (Sefgjini 34′), Lulaj, Qaqi, Shala; Lushkja, Jonuzi; Musai, Vucaj, Serxho Zhunior (Gjoni 90′); Mensah (Kanapari 86′)
Trajner: Bledar Sinella

Gjyqtar: Remzi Sadiku

KV: Abazaj, Bregu, Zguro, Rroca / Lushkja, Qaqi, Sefgjini, Musai, Selmani

KK: Lushkja

(Panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: