TIRANË- Katër oficerë të policisë gjyqësore kanë përfunduar pas dy orësh kontrollin në banesën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri (16:00), në prani të tij dhe avokatit që e përfaqëson Maks Haxhia.

Nuk dihet ende se çfarë provash mund të kenë mbledhur, por në dalje oficerët mbanin dy valixhe me të cilat u panë të hynin më herët në banesën e tij, aty ku dyshohet se mund të kenë mbledhur prova, siç raporton për “BalkanWeb”, gazetari Klajdi Bodlli.

Oficerët e policisë gjyqësore janë ngjitur në shtëpinë e zotit Tahiri bashkë me dosjet e tyre rreth orës 14:00, pas autorizimit nga parlamenti një ditë më parë. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se në banesë 10 minuta pas tyre u ngjit edhe deputeti Saimir Tahiri. Pak minuta pasi hyri në banesë, Tahiri u fotografua në ballkon, teksa situatën me oficerët ia besoi avokatit të tij.

policia te tahiri

NIS KONTROLLI NE BANESEN E TAHIRIT
Fillimisht rreth orës 14:05 kanë mbërritur 4 oficerët e policisë gjyqësore. Ish-ministri Tahiri ka ardhur 5 minuta më vonë dhe pas tij avokati mbrojtës Maks Haxhia.

Më 19 tetor Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit, Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, pas përmendjes së emrit të tij në disa biseda mes trafikantëve Habilaj dhe publikimit të përgjimeve.

Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda i kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.

Por dje maxhoranca votoi kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tij dhe pro kontrollit personal dhe të banesës.

Gjatë kësaj kohe përfaqësues të ndryshëm të opozitës kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se i la kohë Tahirit të zhdukte provat.

(m.k/m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: