“BalkanWeb” ka siguruar sot një tjetër video të papublikuar më parë që hedh më shumë dritë mbi dhunën barbare të ushtruar në 8 Mars ndaj gazetarit Elvi Fundo, në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë në rrugën “Asim Vokshi”.

Referuar videos së siguruar nga “BalkanWeb” nga një prej kamerave të sigurisë në bizneset pranë vendngjarjes, fillimisht shfaqet gazetari Fundo (në rreth të kuq në video) i cili ecën qetësisht në trotuar.

Dhe nga ana tjetër e rrugës dallohen qartësisht dy agresorët me kapuça në kokë, që shfaqen në befasi. I pari me tuta të zeza me vija të kuqe dhe tjetri me një tutë jeshile, të cilët sapo dallojnë Fundon vrapojnë me shpejtësi drejt tij.

Siç shihet edhe nga video agresorët (në video njëri me shigjetë të verdhë dhe tjetri me jeshile) gjatë vrapimit e mbajnë njërën dorë brenda xhupave të tyre nga ku më pas do të nxirrnin shufra hekuri për ta masakruar në mes të rrugës Fundon brenda pak sekondave.

Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë për të identifikuar dhunuesit e gazetarit Fundo duke premtuar edhe me 500 mijë lekë shpërblim. Gjithashtu edhe agjencia e lajmeve “Citynews.al” që drejtohet nga Fundo ka ofruar 500 mijë lekë shpërblim për identifikuesit e agresorëve të drejtorit të tyre.

Liderët kryesorë të politikës, personalitete të huaja si edhe shoqatat vendase dhe të huaja të gazetarëve e kanë dënuar me forcë dhunimin barbar të Elvi Fundos duke apeluar njëherazi zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e menjëhershëm të agresorëve të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb