TIRANË – Imami nga Shqipëria, Elvis Naçi ka folur për fitoren e Donald Trump në garën për zgjedhjet presidenciale në SHBA që u mbajtën më 8 nëntor.

Sipas tij, në rastin e fitores së rivales së tij, mediat mashtruan.

“Mediat mashtruan, kaq. Po këto media nëse nuk ju përputhen interesat me islamin e nxjerrin terrorizëm”, ka thënë imami i Tiranës gjatë hutbes në xhami. “BalkanWeb” publikon sot ligjëratën e plotë të mbajtur nga Elvis Naçi në xhaminë e Tabakëve në Tiranë.


Fjala e plotë e Hoxhë Elvis Naçit

U zgjodh Donald Trump u çudit bota. Jo mo s’ka për t’u çuditur fare. Hiç, mediat mashtruan. Kaq. Një pjesë e këtyre mediave që kishin interesa me Klintonin e bënë Donaldin që s’fiton. Po këto media që s’i përputhen interesat me islamin e nxjerrin terrorizëm. Kaq. Mos u lodh fare më. A e kuptove këtë? Po e kuptova. Kaq. U mor leksioni për xhuma. Këtë duhet me e shpjegu. Tha bota: “si shpjegohet?”. Jo mo mediat thanë që iu interesonte të fitonte ajo. Ne s’merremi fare me politikë, mua s’më interson fare ajo pjesë por po e them si ide. Dhe thanë të gjithë pastaj që mediat paskan patur interesa politike, ekonomike a punët e tyre me Hillari Klinton. Donin të fitonte ajo dhe thanë fiton me kriju një psikologji tek populli amerikan që të mos shkonin kot të votonin për Donald Trumpin se ka fituar kjo. Kur në fakt populli amerikan është i zgjuar, ja jep kujt të dojë. Ne s’kemi lidhje fare me atë por po e themi si ide. Këto media që manipuluan psikologjinë, këto janë ato që një pjesë e tyre flasin që islami është terrorizëm sepse interesat nuk përputhen. Do shohësh ti kur të ngrihet Rusia, siç e po e shikon ti si perandori. Edhe Kina. Do shohësh e do më kujtosh që edhe Rusia edhe Kina edhe Amerika edhe Europa do thonë ku është islami i paqes. Sepse do sinkronizohen, e ardhmja duket qartë që do sinkronizojë, do lindi dielli që për botën islame do kenë nevojë dhe do e lavdërojnë të gjithë. Pastaj kalon, e shajnë prapë. Kështu vjen kjo punë, mos u çudit ti. Ti nuk duhet të trazohesh nga kjo. Ti duhet me e marr origjinën nga mjali i Kuranit, nga perlat profetike dhe nga hoxhallarët e sinqertë, jo nga media. Mbaje mend këtë. Merre nga hoxhallarët që janë shumë të sinqertë dhe i ke kudo. Edhe je në rregull. Të ka bekuar i madhi Zoti për këtë. Pra mos u çudit. Se janë interesa. Sot ai të bën shejtan, nesër del engjëll, sot je në terror, nesër të bën të paqshëm, sot je ngjyrë e zezë, nesër të lyejnë me të bardhë. Ti je në fakt por varet nga interesat politike. Ne s’ngatërohemi me këto. Ne i kemi interesat fetare. Ne duam të afrohemi tek i madhi Zot, jo me u bë miliarder. Ne duam të shkojmë në xhenet, jo me u bë President në këtë botë. Këto duhen ndarë. Nëse njeriu i ndan këto është i qetë. Nëse ngatërohet me këto nuk e di se ku i del. Ne duhet të jemi të sinqertë dhe me të madhin Zot që nuk vdes kurrë. Të tjerat ikin, katër vjet në administratë, 8 vjet maksimumi, ikën, vjen tjetri, ky që u mbështet tek i pari u rrëzua se i iku, ky që e mori këtë pas 8 vjetësh rrëzohet dhe ky, ngel vetëm i Gjithëfuqishmi, ai që s’vdes kurrë. Kush u lidh me atë fitoi. Gjithë lidhjet e tjera ndërprehen një ditë. Kjo është kuptimi i madh i Islamit, kuptimi gjigand i kësaj feje madhështore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb