VLORË- Policia e Vlorës ka zbuluar një sasi tjetër të madhe droge dhe ka vënë në pranga një 41-vjeçar, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Plot 211 kg drogë janë zbuluar në një banesë 2 katëshe në zonën e Ujit të Ftohtë.

Operacioni ka qenë në kuadër të vijimit të procedurave për verifikimin dhe sekuestrimin e banesës në të cilën u gjet lënda narkotike si edhe të tjera pasuri të cilat mund të jenë përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin Operacional Kombëtar për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, strukturat e Hetimit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë , në bazë të informacioneve të siguruara për shtetasit Dilaver Pecaj, F.P., A.M., se në një banesë kanë strehuar lëndë narkotike, kanë arritur të finalizojnë me sukses operacionin e koduar “Fillim Vjeshte”.

Operacioni është zhvilluar në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një banesë 2 katëshe, ku në një nga dhomat e kësaj banese është konstatuar dhe sekuestruar nga policia një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, me një peshë totale rreth 211 kg e 700 gramë.

Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi:
Dilaver Pecaj, 41 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë.

Gjithashtu të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë rezultuar edhe shtetasit F.P., 47 vjeç dhe A.M. 34 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim policor.

Njëkohësisht po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e banesës për të cilën dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: