DURRËS- Ndërsa policia e Durrësit ka shpërndarë edhe videon e arrestimit të Bledar Tahirit, 39 vjeçarit nga Shijaku të kapur mbrëmë në kuadër të operacionit të koduar ”Bridge”, pasi akuzohet si ndërmjetës në shitjen e heroinës, “BalkanWeb” siguron një tjetër video.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” një video ku Bledar Tahiri kërcen e këndon një nga këngët hit të momentit.

Ai ishte pjesë e një grupi të trafikut të drogave të forta që u godit mbrëmë nga policia e Durrësit. Përveç Bledarit polica ka shpallur në kërkim tre persona të tjerë.

Goditja e grupit që shpërndante lëndë narkotike të llojit Heroinë në zonën e Durrësit është bërë e mundur pas një hetimi rreth 3-mujor me metoda speciale nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor.
Në pranga është vënë shtetasi Bledar Tahiri, 39 vjeç, banuese në Shijak; ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit: E.K, 36 vjeç, banues në Shijak; dhe E.R, 34 vjeç, dhe L.Ç, 39 vjeç, të dy banues në Durrës. Uniformat blu po punojnë për kapjen e tyre.
Sakaq, policia ka zbuluar skemën sesi vepronte grupi i shpërndarjes së së heroinës. “Më datë 14.12.2017, pas një pune hetimore intensive dhe të mirëorganizuar, në qendër të Shijakut, shtetasi Bledar Tahiri u kap në flagrancë dhe iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale: rreth 179 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë e ndarë në 30 doza; një peshore elektronike; dhe një aparat telefoni celuar. Nga hetimet e kryera u dokumentua me prova shkencore se shtetasit e mësipërm janë të përfshirë në veprimtari kriminale ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike të llojit Heroinë në zonën e Shijakut dhe të Durrësit. Bledar Tahiri, në rolin e ndërmjetësit ia blinte lëndën narkotike shtetasit E.K, dhe më pas ua shiste shtetasve E.R. dhe L.Ç. kundrejt një pagese”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet në ngarkim të shtetasve Bledar Tahiri, E.K, E.R. dhe L.Ç, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb