TIRANË- Më 5 prill 2018, Seksioni i krimit ekonomik dhe financiar, strukturë që drejtohet prej më shumë se dy vitesh nga Marsel Dulaj, (në foto) njoftoi me bujë goditjen e një grupi kriminal që operonte në Tiranë në fushën e kontrabandës, në kuadër të “Forcës së Ligjit”.

Operacioni i koduar “Kontrabanda 2018”, çoi në pranga 17 persona, ndërsa në kërkim u shpallën 5 të tjerë. Sipas Dulajt, grupi kriminal ndiqej prej disa muajsh me metoda speciale të hetimit, çka do të thotë se të ndaluarit, ishin mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim, e në këtë mënyrë, rolet dhe funksionet e secilit prej tyre në veprimtari kriminal ishin provuar tërësisht. Në pamje të parë, dukej sikur provat e fajësisë për të dyshuarit ishin të pakundërshtueshme.

Në njoftim theksohej fakti se ishin arrestuar jo vetëm magazinuesit e mallrave kontrabandë, por edhe financuesit, ose thënë ndryshe krerët e grupit, çka në fakt nënkuptonte se “Forca e ligjit” po vepronte në kryeqytet. Tashmë dy muaj më vonë kupton se e gjitha nuk është asgjë më shumë, sesa një “flluskë sapuni”. Buja e operacionit u shua menjëherë.

Gjykata e Tiranës liroi dy ditë më vonë, pjesën më të madhe të të dyshuarve. Ndërsa gjykata e Apelit çoi në shtëpi pjesën tjetër të të dyshuarve. E vetmja “gjurmë” e mbetur nga operacioni është njoftimi për shtyp i publikuar në faqen e Policisë së Shtetit.

Dy muaj më vonë, kupton se struktura që drejtohet nga Dulaj, duket se nuk kishte aspak qëllim dhe prioritet të godiste grupet e strukturuara kriminale, por u kujdes që të bindte Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, se “Forca e ligjit” po vepronte edhe në kryeqytet.

Në kohën kur të gjithë të dyshuarit janë të lirë, çka dëshmon për një punë të dobët hetimore të seksionit të krimit ekonomik, që përpara se të kujdesej për të cilësuar si sukses operacionin, duhet të siguronte prova të pakundërshtueshme fajësie për të dyshuarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb