Nga: Aurora Golemi

Vijojnë regjistrimet e raundit të parë pranë Kolegjit Universitar “Luarasi”. Rektori i “Luarasit”, profesor Arben Malaj, thotë se deri më sot në raundin e parë të regjistrimeve niveli i maturantëve si dhe shtrirja gjeografike e tyre ka qenë më i lartë në krahasim me vitet e kaluara.

“Dëshiroj të theksoj se Luarasi vazhdon të ketë një vlerësim maksimal lidhur me kredibilitetin akademik. Ka ardhur gjithnjë e në përmirësim cilësia e studentëve që përzgjedhin Luarasin. E dyta është rritur gjeografia, gjithnjë e më tepër maturantet e dinë se Luarasi është një avantazh për ta. Ka një interes në rritje për dy shtyllat e Luarasit, për fakultetin Juridik dhe Ekonomik”, -tha rektori i KU Luarasi, Arben Malaj.

Stafi akademik i Luarasit është tërësisht i angazhuar duke pritur maturantët për t’iu dhënë orientime të sakta se çfarë hapash duhet të ndjekin për proçesin e regjistrimit pasi jo të gjithë janë të mirëinformuar.

“Duke patur parasysh shkallën e njohjes së procesit me shumë faza dhe nënfaza, mendoj se ata duhet të jenë të kujdeshëm dhe do të kenë asistencen tonë edhe në përfundim të raundit të parë si dhe në nisjen e raundit së dytë. Stafi akademik ka qenë dhe do jetë në dispozicion të maturanteve një pjesë e së cilëve nuk e njohin mirë procesin”,- shtoi ai.

Përveç regjistrimeve prej sot nis procesi i transferimeve nga njëri universitet në tjetrin. Afati përfundimtar kur përfundon proçesi i transferimeve është data 19 shtator. “Luarasi” në përputhje me parimet e Kartës së Bolonjës, pranon transferime të studentëve në vitet ndërmjetëse nga shkollat e tjera universitare, publike ose jopublike.

“Për të gjithë të interesuarit që duan të transferojnë studimet nga data 7 shtator deri në 19 shtator, zhvillohet procesi i aplikimit për transferim. Njëkohësisht studentët të cilët duan të ndjekin një program të dytë studimi mund t’i drejtohen sekretarisë pranë Luarasit. Aty ata do të dorëzojnë dokumentacionin dhe më pas ky dokumentacion vlerësohet nga komisionet e ngritura pranë dy fakulteteve përkatese”,- tha Dorina Gjipali, shefe e departamentit të Drejtësisë.

Nëse ndiheni i pasigurt në zgjedhjen e universitetit apo doni një degë të re që nuk ofrohet në universitetin ku jeni aktualisht eksperienca e re e transferimit të studimeve sipas drejtuesve të “Luarasit” mund t’i japë një perspektivë të re jetës studentore. Kolegji Universitar “Luarasi” i ka dyert e hapura për të mirëpritur studentët e rinj për t’i realizuar të gjitha ato pritshmëri që i bënë të ndryshonin mjedis universitar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: