FIER- Një person ende i paidentifikuar ka dhunuar sot rojën dhe punonjësit e OSHEE-së në Fier pasi nuk është lejuar të hynte në këtë institucion.

Ai ka kërkuar të takohej me drejtorin, por pasi nuk është lejuar i ka vënë përpara punonjësit e rojën duke i dhunuar me qëllim që të hynte me zor në këtë institucion.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklarojnë se kur ka dalë nga dera e OSHEE është dëgjuar të thotë, “mos u afroni se do t’ju qëlloj”.

Gjatë një lidhje telefonike, drejtori i OSHEE në Fier, Armando Zhuka ka sqaruar gjithë sa ndodhi. Ai pohoi se një person ka ardhur dhe është futur në ambientet e institucionit dhe ka kërkuar takim me drejtorin rajonal. Pasi është venë në dijeni se drejtori nuk ndodhej për momentin, personi në fjalë i ka kërcënuar dhe ka treguar pistoletën.

Zhuka ka theksuar se ka edhe pamje filmike të cilat i janë vënë në dispozicion policisë dhe është kryer kallëzimi përkatës. Sipas drejtorit të OSHEE, këto kërcënime kanë ardhur si pasojë e operacioneve të kryera në terren për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: