Historiani Marenglen Kasmi ka publikuar në profilin e tij në Facebook, sekuenca të një filmi gjerman, të papublikuara më parë, pjesë e ceremonisë e betimit të formacioneve të ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman 1943-1944.


Më poshtë statusi i plotë i historianit Kasmi

Po ndaj me ju një sekuencë filmike të papublikuar deri tani, në të cilin janë fiksuar momente nga ceremonia e betimit të formacioneve të ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman 1943-1944.

Qeveria shqiptare nën pushtimin gjerman, filloi në vjeshtën e vitit 1943 punën për ngritjen e një force të armatosur. Përgjegjësit kryesorë për organizimin dhe ngritjen e ushtrisë shqiptare ishte kryetari i regjencës, Mehdi Frashëri dhe ministri i brendshëm, Xhaferr Deva.

Komandant i kësaj Komande u caktua oficeri i karrierës Preng Previzi, ndërsa detyra e shefit të shtabit ju besua ish-oficerit austriak, Gustav von Myrdacz, tashmë me gradën Gjeneral. Zv/shef shtabi ishte po ashtu një ish-oficer austriak, që si edhe Myrdacz, kishte shërbyer në ushtrinë e Zogut, koloneli Hermann Kirchner.

Misioni i Komandës së Mbrojtjes Kombëtare ishte ngritja dhe organizimi i ushtrisë shqiptare.

Kësisoj, në fillim të tetorit 1943 kjo komandë ja doli të organizonte pesë batalione ushtarake shqiptare, me një fuqi luftarake prej afro 4.800 burrash. Komanda gjermane i armatosi këto forca me armatim italian. Po ashtu, siç vërehet në film, si uniformat ashtu edhe pajimet luftarake vinin nga arsenalet që gjermanët i kishin kapur ushtrisë italiane pas kapitullimit të saj.

Për politikën gjermane mjaftonte që, këto trupa të luftonin kundër ushtrisë partizane duke u ruajtur atyre krahët. Kësisoj, ushtria gjermane përqendrohej vetëm në ruajtjen e vijës bregdetare, ndaj ndonjë zbarkimi të mundshëm të aleatëve anglo-amerikanë.

Më tej, Gjenerali i Plotëfushqishëm Gjerman në Shqipëri, planifikonte krijimin e katër batalioneve milicë, të vendosur përkatësisht: një batalion në Elbasan, një në Tiranë dhe nga një batalion në Kukës dhe Prizren.

Këto batalione duhej të ishin ekskluzivisht nën kujdesin dhe komandën e divizioneve gjermane. Formalisht këto trupa duhej të ishin nën komandën e Ministrit të Brendshëm shqiptar Deva dhe nuk do të lejoheshin të përdoreshin jashtë Shqipërisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: