TIRANË- Plas sherri në komisionin e Ekonomisë. Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka debatuar me kreun e Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, ku po diskutohet buxheti, madje përplasja mes tyre gati është kthyer në fizike.

Kjo, pasi deputeti Shehaj, ka shkuar pranë vendit të Braçes, duke i bërë me gisht gjatë gjithë kohës. Më pas ka ndërhyrë Garda dhe e kanë larguar deputetin e PD-së.

PËRPLASJA E PARË
Kjo nuk është hera e parë që mes Shehajt dhe Braçes ka përplasje. Më 13 nëntor sërish mes tyre pati debate të ashpra, ose ‘sherr kostumesh’ teksa diskutonin projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Madje deputetët e opozitës braktisën debatin në Komisionin e Ekonomisë, pas sherrit mes kryetarit Braçe dhe deputetit Shehaj.

Shehaj i tha Braçes në mbledhjen e kaluar se rroga që merr nuk justifikon shpenzimet e tij, duke filluar nga kostumi që kishte veshur dhe deri te syzet.

Kaq mjaftoi që Braçe t’i tregonte jo vetëm faturën e kostumit, por edhe t’ia rekomandonte rrobaqepësin shkodran zotit Shehaj që të qepte dhe ai një kostum 300 mijë lekë të vjetra dhe jo 1500 euro sa e kishte.

Tensionet u rritën kur Shehaj tha se 300 mijë lekë janë më shumë se rroga mesatare në Shqipëri. Deputeti socialist i tha biznesmenit se aq është rroga që ai paguan punëtorët e tij, që sipas tij i trajton si skllevër.

Deputeti socialist, në acarim e sipër, i tha Shehajt se ishte i gatshëm të zhvishej dhe t’i tregonte edhe kanotierën. Mes shkëmbimit të replikave, Braçe shkoi më tej duke e akuzuar deputetin demokrat se në biznesin që ka drejtuar deri dje, i ka trajtuar punëtorët si skllevër. Pas kësaj ishte radha e Shehaj të shpë-rthente duke i kërkuar Bra-çes të tërhiqte pas akuzat, sipas tij. “Nuk keni punuar një ditë dhe guxoni t’i quani bashkëpunëtorët e mi sklle-vër. Turp!”,- deklaroi deputeti demokrat Agron Shehaj.

Në këtë moment deputetët e opozitës u larguan në shenjë proteste nga mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. “Të të vijë turp!”,-tha z.Shehaj i cili largohet së bashku me kolegët opozitarë në mënyrë demonstrative nga salla e komisionit.

Erjon Braçe: Ky kostumi im bën vetëm 300 mijë lekë të vjetër dhe po të duash ti që e ke kostumin 1500 euro të marr unë dhe të çoj tek ai që e qep unë. Është një djalë flori, djalë vendi nga Shkodra që mund të të qep një kostum si puna e këtij që kushton vetëm 300 mijë lekë të vjetra.

Agron Shehaj: 300 mijë lekë të vjetra është më e lartë se rroga mesatare e Shqipërisë, jo vetëm.

Erjon Braçe: Është sa paga minimale që ti u paguan atyre punëtorëve që i përdor si skllevër në biznesin tënd, dakord. Atyre të rinjve që ti i përdor si skllevër në biznesin tënd. Dhe mos e zgjat më se ka dhe më.

Agron Shehaj: Këto janë budallallëqe…..

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb