TEPELENE – Gjatë operacionit antidrogë të koduar “Vjosa” policia e Shtetit ka mundur të sekuestrojë 123 kg kanabis në qytetin e Tepelenës.

Në vijim të Planit Operacional të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për evidentimin dhe goditjen e vendmagazinimit të lëndëve narkotike, si dhe për kapjen dhe arrestimin e  personave që kryejnë këtë veprimtari kriminale, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative  se shtetasi Seit Bejko dispononte lëndë narkotike në banesën e tij në fshatin Dukaj, Tepelenë, nga seksioni për Hetimin e narkotikëve në D.V.P Gjirokastër dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë u zhvillua operacioni “VJOSA”.

Si rezultat i operacionit, nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën disa thasë, brenda të cilëve kishte lëndë narkotike Cannabis Sattiva. Pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 66 kg.

Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi : Seit Bejko, 58 vjeç, banues në fshatin Dukaj, Tepelenë.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë (për shkak të moshës) për shtetasin : Z.B, 83 vjeç, banues në fshatin Gusmar, Tepelenë, pasi në një banesë të këtij shtetasi në fshatin Gusmar (në të cilën nuk banonte aktualisht), nga shërbimet e policisë u gjetën disa thasë me lëndë të dyshuar narkotike.

Pesha totale e lëndës ishte 57 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb