Në Madrid nuk pati autogol të Pikesë, simulim të Luis Suarezit, supergol të Kristiano Ronaldos, festë me heqje fanelle, karton të kuq dhe shtyrje arbitri si në “Camp Nou”. “El Clasico” e finales së parë të Superkupës së Spanjës i ofroi të gjitha mbrëmjen e së dielës, atje ku praktikisht u vendos trofeu i parë sezonal në Spanjë.

Tri ditë më vonë, në kryeqytet pati thjesht një diktaturë. E Realit sigurisht, që u imponohet rivalëve të përjetshëm me një nga ndeshjet më dominuese të viteve të fundit, veçanërisht pjesa e parë. Fitores 3-1 në “Camp Nou” i shtohet edhe një kryevepër e Asensios dhe goli i Benzemasë në “Bernabeu”. Rezultati i përgjithshëm: “Manita” 5-1. Barcelona ndalet vetëm te shtyllat (Mesi dhe Suarez).

LËVIZJET E FUNDIT
Zidan dhe Valverde tentojnë të maksimizojnë detajet më të vogla në finalen e kthimit. Trajneri i katalanasve, i privuar nga mungesa e Iniestës, vendos të sakrifikojë Deulofeun dhe mbipopullon mesfushën me një rreshtim 3-5-2. Francezi i përgjigjet duke ulur në stol Kasemiron, Iskon e Bejlin dhe në vend të tyre luajnë Kovaçiç, Modriç dhe Vazkuez. Ronaldon e zëvendëson Asensio. Madrilenët e nisin menjëherë në sulm dhe është pikërisht 21-vjeçari ai që fton Modriçin në rastin e parë, por goditja e kroatit përplaset në murin katalanas. Dy minuta më vonë, Asensio e përsërit edhe njëherë vesin e tij (gol në 4 nga 5 finalet e tij të fundit, Superkupa e Europës 2016, Champions 2017, 2 herë Superkupa e Spanjës 2017): këtë herë me një gol monstruoz që sfidon ligjet e natyrës: sulmuesi gjen hapësirën në hyrje të zonës dhe e majta e tij hipnotizon Ter Shtegenin, duke u ulur vetëm në çastin e fundit nën trekëndësh.

Eksperimenti i Valverdes është një dështim total dhe Mesi dhe Suarezin nuk arrijë të tërheqin skuadrën. Modriç në regji, komandon mesfushën dhe në minutën e 33-të madrilenët kanë shansin më të mirë për të dyfishuar: këtë herë Ter Shtegen është me fat kur sheh të majtën e Vazkuezit të ndalet në shtyllë. Atë që nuk e bën Lukas, e bën Benzema në minutën e 39-të kur, pas krosimi të ulët të Marselos, francezi përfiton nga përgjumja e Umtitit dhe nuk fal. Në pjesën e dytë, Valverde rikthehet në 4-4-2. Katalanasit japin shkëndija: Mesi trondit traversën, nga ana tjetër i përgjigjet Benzema. Shtylla i thotë sërish “jo” Suarezit. Nuk ishte dita e “remuntadës”. Reali fiton Superkupën e 10-të në histori. A do t’i mjaftojnë Paulinjo, Dembele dhe Kutinjo për të ndryshuar marshin një Barcelone kaq depresive?/p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: