TIRANE- Kamerat e sigurisë kanë mundur të fiksojnë të gjithë grabitjen e ndodhur mesditëm e djeshme në sportelin e një banke të nivelit të dytë në sallën kryesore të godinës së Hipotekës në Tiranë. Pamjet e fiksuara nga këto kamera janë siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat.

Një person i maskuar me një kapuç në kokë, i gjatë, i dobët dhe i veshur me të zeza shihet të hyjë nga dera kryesore. Në dorë ka një pistoletë me të cilën edhe kërcënon punonjëset e dy arkave. Ndërsa lëviz me shpejtësi nga njëri sportel në tjetrin duke kërcënuar sportelistet i riu kërkon para me ngulm e merr prej tyre një qese me para.

Fillimisht qytetarët që ndodhesin në sallë nuk e kuptojnë cfarë po ndodhte por pasi grabitësi ka ngritur zërin duke iu drejtuar sportelistëve me fjalët “paratë se do t’ju vras”, ata i ka kapur paniku e kanë nisur të boshatisin sallën.

Ndonëse policia nuk ka rënë ende në gjurmët e tij, dyshohet se është ndihmuar edhe nga një tjetër person që vëzhgonte jashtë godinës.

Shuma që dyshohet të ketë marrë ai nga arkat është rreth 500 mijë lekë ndërkohë që policia arrestoi një nga rojet e policisë private që ishin në shërbim ndërsa një tjetër e procedoi në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: