Një shtetas shqiptar, për pak sa nuk ka humbur jetën gjatë një vjedhje spektakolare me armë, në një minimarket në qendër të kryeqytetit grek.

Në pamjet ekskluzive që ka siguruar televizioni shtetëror nga kamera e sigurisë, duket qartë momenti kur tre persona me maska, hyjnë në minimarket dhe me kërcënimin e armëve, shtyjnë klientët e paktë që ndodhen brenda në një cep duke u thënë të mos lëvizin dhe detyrojnë me force pronarin t’u japë paratë e xhiros ditore.

Ky i fundit në panik e sipër shtyp butonin e alarmit të cilin e dëgjojnë nga klubi i natës ngjitur dhe një prej punonjësve të tij, një shtetas shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, hyn në dyqan për të parë se çfarë po ndodh, raporton Top-Channel.

Aty i gjendur ballë për ballë me një prej tre grabitësve, pasi dy të tjerët po merrnin paratë, përpiqet në fillim t’i rrëmbejë armën që ai ka në dorë dhe më vonë ta shmangë atë, kur sheh që personi i armatosur e kërcënon seriozisht dhe madje hap zjarr kundër tij.

Shtetasi shqiptar ka shpëtuar nga vdekja e sigurt pasi është përkulur dhe plumbi ka kaluar sipër kokës, në një prej vitrinave të dyqanit.

Tre hajdutet pas krismës, janë larguar menjëherë pasi kanë marrë mbi 1200 euro dhe disa telefona celularë, ndërsa policia që mbërriti më vonë në vendngjarje ende nuk ka mundur të zbuloje diçka për këtë akt kriminal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb