GRAMSH – Lajmi për një zjarr të përmasave të mëdha që përfshiu një pallat 3-katësh në qytetin e Gramshit, shumë afër komisariatit të policisë, ngriti në këmbë jo vetëm zjarrfikësit e qytetit juglindor, por në drejtim të tij udhëtuan edhe nga Elbasani.

Pak pas ngjarjes, kryebashkiakja e Gramshit, Luljeta Dollani sqaroi për “BalkanWeb” se ndonëse nuk është përcaktuar me saktësi se çfarë e shkaktoi zjarrin, dyshohet se lënia ndezur e një sobe zjarri mund të ketë shkaktuar “hatanë” për të paktën 8 familje, banesat e të cilëve janë shkrumbuar plotësisht.

“18 familjet që jetonin në këtë pallat arritën të nxirreshin menjëherë, por dëmet materiale janë të pallogaritshme”,- tha ajo për BalkanWeb.

Pavarësisht zjarrit që përpiu gjithë pallatin, zonja Dollani tha se nuk raportohet për persona të lënduar dhe se në apartamentin që ra zjarri, fatmirësisht nuk kishte asnjë person brenda.

Ngjarja
Një zjarr i fuqishëm ra sot rreth orës 21:00 në apartamentin e një pallati 3-katësh në qytetin e Gramshit. Në pamjet filmike të siguruara nga “BalkanWeb” duken flakët e mëdha që kanë përfshirë katin e tretë të pallatit dhe janë hapur me shpejtësi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb