Kombëtarja e Spanjës ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Shqipëri në kuadër të ndeshjes së të dielës kundër përfaqësueses shqiptare e vlefshme për eliminatoret e botërorit Rusi 2018..

“La Roja” preku tokën shqiptare rreth orës 20:45, e menjëherë më pas u nis me autobus drejt Shkodrës, ku të dielën do të përballet me kuqezinjtë në “Loro Boriçi”.

“Jemi në tokë! Sapo mbërritëm në Shqipëri. Tani do të nisemi me autobus drejt hotelit në Shkodër”, shkruan Federata Spanjolle e Futbollit në profilin e vet në “Twitter”.

Iberikët mbërritën në Rinas rreth 1 orë me vonesë për shkak të motit të keq.

Një episod ka ndodhur me gazetarët spanjollë, të cilët ngatërruan daljen në aeroport, teksa fillimisht u futën te salla VIP dhe më pas përfunduan te kabinat e policisë.

Por me ndihmën e punonjësve të aeroportit kanë gjetur daljen e saktë dhe më pas kanë udhëtuar me ekipin e tyre kombëtar drejt Shkodrës, të shoqëruar nga RENEA.

Spanjollët do të zhvillojnë nesër seancën e parë stërvitore për të qenë gati për të dielën. Edhe kombëtarja shqiptare ka mbërritur po sonte në Rinas nga Lihtenshtejni dhe udhëtoi direkt drejt Shkodrës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb