Ndeshja e parë e “Champions League” mes Liverpool dhe Roma-s nuk ka kaluar pa incidente. Rreth një orë para se të niste sfida u raportua se një tifoz i Liverpool-it përfundoi në spital si shkak i sulmit nga dy tifozë italian, të cilët e rrahën barbarisht.

Nga se mësohet 53-vjeçari ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Siç shkruan “The Sun”, tifozët e Romës thuhet se përdorën çekiçë, shkopinj dhe rripa duke sulmuar turmën. Viktima, besohet të jetë nga Irlanda dhe po trajtohet për lëndime serioze në kokë në Qendrën neurologjike të Walton.

Policia e Merseyside ka arrestuar dy tifozë verdhëkuqë, të moshës 25 dhe 26-vjeç. Uniformat blu arrestuan në total nëntë persona për veprat penale: posedim i lëndëve narkotike dhe alkool.

Njëri prej përfaqësuesve, Dave Charnock në një komunikatë për shtyp tha: “Një 53-vjeçar, i cili besohet të jetë tifoz i Liverpool, është sulmuar pranë stadiumit gjatë një grindjeje mes tifozëve të Romës me ato vendas.

Aktualisht ai është duke u trajtuar për dëmtimet e pësuara në Qendrën Neurologjike Walton. Gjendja e tij shëndetësore është tepër kritike. Dy persona të moshës 25 dhe 26 vjeç nga Roma, janë arrestuar me dyshimin për vrasje me tentativë dhe janë dërguar në një stacion policor ku do të intervistohen nga detektivët.

Autoritetet përkatëse po hetojnë për përdorimin e flakadanëve jashtë stadiumit të Anfield para ndeshjes. Do t’i shqyrtojmë pamjet e ÇTV dhe do t’i paraqesim këto prova para gjykatës. Ju ftoj që çdokush që ka ndonjë informacion ose pamje nga incidentet në telefonin e tyre celular, të na i dërgojë”- tha ai në deklaratën e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb