DURRES- “BalkanWeb” siguron pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së karburantit në Maminas, në oborrin e të cilit fluturoi taksia me të cilën udhëtonin Buajr Agalliu 60-vjeç dhe pasagjerja e tij Elena Avdillari 23-vjeç.

Nga pamjet e siguruara për “BalkanWeb”nga gazetarja Klodjana Haxhiaj tregohet vetëm në pak sekonda shpejtësia skëterrë me të cilën përplaset taksia në bordurën dhe tabelën e karburantit, për të përfunduar pas 100 metrash fluturim në ajër, në anën tjetër të tij.
aksidenti ne maminas pamjet e kamerave 1
Kujtojmë që pamjet janë filmuar vetëm nga dy kamerat e brendshme të karburantit, pasi ato jashtë, që mund të tregonin edhe aksidentin e plotë kanë qënë të fikura në atë moment.

Sakaq, siç bën me dije për “BalkanWeb” gazetarja Klodjana Haxhaij, grupi hetimor ka arritur tashmë të përpilojë dosjen dhe ta dorëzojë në Prokurori, duke përjashtuar kështu të gjitha dyshimet se aksidenti mund të ketë qenë i qëllimshëm.

Ekspertët kanë siguruar prova të mjaftueshme për të dalë në konkluzionin se bëhet fjalë për një aksident të pastër. Rezulton se shkak i aksidentit është goditja nga pas e “Benz”-it taksi që drejtohej nga 60-vjeçari Bujar Agalliu nga Benzi tip ML që drejtohej nga 34 vjeçari i shpallur në kërkim policor, Fatjon Zhaporja nga Rragami i Tropojës me banim në Tiranë.

Ekspertët kanë konkluduar se Zhaporja ka qenë me shpejtësi skëterrë mbi 200 km në orë dhe ka goditur nga pas në parakalim e sipër taksinë ku udhëtonte Bujar Agalliu taksist dhe pasagjere 23 vjeçarja Avdillari. Parakalimi i gabuar nga Fatjon Zhaporja dhe rruga e dëmtuar janë përcaktuar si shkak i aksidentit.

Grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se viktima 23 vjeçare nuk ka asnjë lidhje me Fatjon Zhaporen autorin e aksidentit dhe ish-pronarin e mjetit Dardan Gjeka.

23 vjeçares nga Kombinati ju gjet një biletë në çantë për të udhëtuar me linjën Durrës-Bari. Zyrtarisht grupi hetimor ka bërë me dije se vajza është paraqitur në port por nuk ka shkuar në pikën kufitare për tu imbarkuar në traget. 23-vjeçarja nuk është paraqitur para sportelit të policisë kufitare për të vulosur pasaportën.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb