NGA SPARTAK KOKA* TIRANË- Një person me kapuçin në kokë që afrohet me biçikletë pranë dy objektivave që ka vendosur të shpërthejë, dyshohet të jetë autori i tri shpërthimeve me eksploziv dje në Tiranë. Pamjet filmike të kamerave të sekuestruara nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në zonën “Vasil Shantos” kanë fiksuar disa sekuenca ku duke një person i cili lëviz me biçikletë rreth orës 05.25 minuta nga ura e “Vasil Shantos” në drejtim të stacionit të autobusit të unazës në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Sipas Grupit hetimor dyshohet të jetë i njëjti person që vendosi eksplozivin tek farmacia e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

MOMENTI KUR PERSONI VENDOS EKSPLOZIVIN DHE SHPERTHIMI

 

Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet filmike të  momenteve para gjatë dhe pas shpërthimit të lëndës eksplozive në farmacinë e Bashkim Tahirit, babai i ministrit të Brendshëm.

Në pamje evidentohet një person  rreth 1.75 cm i gjatë, i veshur me pantallona të zeza dhe një xhup gri me kapuc dhe me maskë, i pajisur me doreza.

Ky person ka mbërritur në orën 02.23.05 sekonda tek farmacia e Bashkim Tahirit, ka parkuar bicikletën dhe nga pjesa e poshtme e xhupit ka nxjerrë lëndën plasëse tritol e përllogaritur në një sasi rreth 400 gr.

Një minutë më vonë autori është larguar menjëherë me bicikletën, të cilën dyshohet ta ketë përdor dhe tek ngjarja tjetër pranë urës së “Vasil Shantos.

30 minuta më vonë në orën 02.54 minuta, tek kondicioneri në murin e jashtëm të farmacisë, lënda eksplozive ka shpërthyer duke shkaktuar dëme materiale.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi. Mekanizmi i shpërthimit të kësaj lënde plasëse  ka qenë me komandim në distancë me celular.

Pas puplikimit në media të videos, Policia e Shtetit dhe ajo e Tiranës iu bëjnë thirrje qytetarëve që në rast se kanë ndonjë informacion rreth autorit, nisur nga pamjet e transmetuara, të ndihmojnë duke telefonuar në numrin 129.

 

Sipas policisë, ky person dyshohet se ka ndaluar disa sekonda pranë autobusit dhe më pas është larguar. Burime zyrtare të grupit hetimor bëjnë me dije se  dyshohet se kemi të bëjmë me të njëjtin autor që ka lëvizur me biçikletë që ka vendosur eksplozivin tritol me telekomandim nëpërmjet celularit tek farmacia e babait të ministrit të brendshëm dhe tek eksplozivi i pashpërthyer  nëpërmjet celularit tek “Vasil Shanto”.

Nga detajet e reja të zbuluara bëhet me dije se i njëjti numër celulari ka telefonuar në drejtim të telefonave të instaluar në dy eksplozivët e telekomanduar. Ende mbetet e paqartë përse nuk ka arritur të shpërthejë  eksplozivi tek “Vasil Shanto” pas thirrjeve celulare që janë bërë në drejtim të tij.

Në pamjet tek ura e “Vasil Shantos” dallohet rreth orës 05.56 minuta një furgon policie i komisariatit numër  2 që kalon afër vendit, ku janë gjetur dy kallëpet e tritolit.

Rreth orës 06:10- 06:15 minuta sipas deklarimit zyrtar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është njoftuar në sallën operative nga, punonjësit e policisë Agron Musta dhe Kastriot Cenko, të cilët kanë qenë me shërbim, pikë kontrolli te ura “Vasil Shanto”. Ata janë njoftuar nga një qytetar se tek stacioni autobusit të Unazës kishte një pako të dyshimtë.

Nga kjo orë deri në orën 06:38 minuta dallohen mjetet dhe qytetarët të cilët lëvizin lirshëm në zonën pranë një pakoje me tritol e mbështjellë me natriban me ngjyrë të zezë.

Vetëm  pas mbërritjes së makinës së xhenierëve është bërë e mundur bllokimi i rrugës në njërin kah për automjetet dhe këmbësorët, ku më pas është bërë shpërthimi telekomanduar.

Ndërkohë BalkanWeb sjell edhe fotot e autorit, të shkëputur nga filmimet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë farmacisë ku ndodhi shpërthimi. Personi që duket në foto ka lëvizur me biçikletë në të dy rastet, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, ku ndodhi shpërthimi në farmacinë e babait të ministrit Saimir Tahiri dhe në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku fatmirësisht lënda eksplozive u zbulua para se të shpërthente. Po kështu është identifikuar numri i telefonit që ka kryer thirrjen dhe rezulton është i njëjti në të dyja rastet. Ndërsa eksplozivi i vendosur në banesën e shefit të Krimeve, Alfred Numani ka pasur tjetër mekanizëm.

Policia pohon se në të dyja rastet, autori i dyshuar që shihet në foto ka vepruar i vetëm dhe më pas është larguar i vetëm, pa lënë gjurmë. Në videon e siguruar nga News24 duket qartë kur ky shtetas afrohet tek farmacia për të vendosur eksplozivin.

Ndërkaq policia u kërkon qytetarëve të telefonojnë në numrin 129, nëse kanë informacione apo dallojnë tipare të njohura tek personi i shfaqur në video e foto.

Mëngjesin e së martës, Tirana u zgjua nga tre shpërthime të forta me tritol. I pari ndodhi në farmacinë e prindërve të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pranë Spitali numër 5; i dyti ndodhi në rrugën “Agim Minga”, në banesën e ish-shefit të Komisariatit Tiranë, Alfred Numani. Në rastin e tretë, blutë e Tiranës, kryen vetë shpërthimin e komanduar të një sasie eksplozivi që u gjet nga qytetarët rreth orës 6 të mëngjesit. Për ngjarjen e rëndë, reaguan edhe krerët e diplomacive ndërkombëtare në vendin tonë, duke kërkuar zbardhjen e arrestimin e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: