NGA: XHENSILA KODRA& DORJANA BEZAT*
Shukri Xhelili, ish-kreu i Bashkisë së Peshkopisë, i cili u la në “arrest me burg” nga Krimet e Rënda pas publikimit të video- skandalit, ka tentuar të kryejë vetëvrasje. Ky fakt bëhet me dijë për “Gazeta Shqiptare” nga burime të policisë. 56-vjeçari u arrestua pas videos së bërë publike nga 20-vjeçarja me iniciale A. A., e cila e kishte filmuar atë duke i kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Xhelili u arrestua mbrëmjen e së hënës në Tiranë. Burimet e sipërpërmendura thanë për gazetën se pas bërjes publike të videos dhe para arrestimit, Shukri Xhelili ka tentuar t’i japë fund jetës duke u mbytur në rezervuar, në Dibër.

Këtë fakt, Xhelili ia ka pohuar oficerëve të policisë në dhomat e paraburgimit. Po ashtu, ish-kryebashkiaku u ka treguar atyre se ka qenë pikërisht bashkëshortja e tij, Tefta Xhelili, e cila e ka ndaluar këtë gjë. “Ishte bashkëshortja ime që më shpëtoi. Më tha se pavarësisht atyre që kishin ndodhur, ajo më mbështeste”, mësohet t’u ketë thënë Xhelili oficerëve të policisë.

Të njëjtat burime sqaruan se 56-vjeçari ndodhet në një gjendje tepër të rënduar psikologjike dhe shëndetësore dhe pikërisht për këtë gjë, është caktuar që në dhomat e paraburgimit ai të qëndrojë i vetëm. Mësohet se Shukri Xhelilit i është caktuar edhe një psikolog dhe se në dhomën e tij nuk mund të hyjë askush tjetër përveç familjarëve. “Xhelili është në gjendje të rënduar shëndetësore. Ai nuk pranon të hajë apo të pijë gjatë kohës që ndodhet në paraburgim”, thanë për “GSH” burime konfidenciale.

AKUZA
56-vjeçari u prangos rreth orës 19:45 të së hënës nga strukturat e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me blutë e Dibrës. Arrestimi i Shukri Xhelilit u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ish-kryebashkiaku Xhelili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në formën e kërkimit të favoreve seksuale prej 20-vjeçares me iniciale A.A., në këmbim të emërimit në një vend pune, në strukturat e varësisë së Bashkisë Dibër. Referuar nenit 260 të Kodit Penal, Xhelili rrezikon për akuzën që i bëhet dënimin nga 4 deri në 12 vite burg dhe gjobë nga 1 deri në 5 milionë lekë.

Burimet e mësipërme pohuan se vendimi i gjykatës në fjalë është ekzekutuar menjëherë nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, burime konfidenciale u shprehën se Shukri Xhelilit i është komunikuar masa e arrestit në ambientet e Ministrisë së Brendshme, ku ishte thirrur për t’u marrë në pyetje. Fillimisht, prokuroria vendosi ndaj tij hetimin në gjendje të lirë. 56-vjeçari ka deklaruar se kishte rënë pre e një kurthi të ngritur nga kundërshtarët e tij. Ndërsa vajza që bëri denoncimin, si dhe familjarët e saj kanë deklaruar publikisht se ndihen të kërcënuar dhe se nuk dalin dot nga shtëpia.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: