Nga Robert Kodra
Në mëngjesin e së martës, u vra para zyrës së tij, lideri i politikës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Vështirë se mund të gjendet autori. Aq më tepër se u vra në një territor i cili kontrollohet, në mënyrë të paligjshme, nga strukturat parapolicore të Serbisë, si dhe u vra me një “nënteshe” serbe.

Ata që e vranë, natyrisht që nuk duan ecurinë e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat konsiderohen historike.

SHBA paralajmëroi, dy ditë më parë, trazira në veriun e Kosovës, duke dhënë specifikime konkrete. Mirëpo shqiptarët, jo vetëm të Kosovës, por edhe të “Shqipërive të tjera” nuk po ua venë veshin shumë amerikanëve. Gjithmonë e më tepër po vërtetohet se rruga e shqiptarëve për në Bruksel, kalon nga Washingtoni. Është mirë të kuptohet nga ne shqiptarët se kush është SHBA në raport me Bashkimin Europian, i cili e tërheq dhe s’e këput. Amerikanët kanë interesat dhe planet e tyre, atje ku lag Atlantiku, Mesdheu dhe Adriatiku, në Ballkan, Kosovë e Shqipëri, të cilat përputhen me interesat tona.

Ishte SHBA ajo që i tha Europës, “Hape krahun!”, kur ndërhyri në Srebrenicë. Ishte SHBA ajo, që bashkë me shqiptarët, fitoi luftën në Kosovë. Ishte SHBA ajo që bëri realitet shprehjen e famshme “The Miracle of Freedom”, kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, së bashku me Kroacinë, ndërkohë që Maqedonia mbeti jashtë, ndërkohë që shtete europiane ishin skeptike, ndërkohë që fqinji ynë jugor firmosi i fundit për këtë anëtarësim.

Po sa bashkëpunëtorë janë shqiptarët me SHBA-në? U tregua me “vijën e kuqe” për armët kimike. U tregua me votimin për rezolutën e fundit në OKB. Dikush ka thënë dikur një fjalë postulat, që vendi ynë do të votojë në OKB, ashtu si BE-ja dhe si duket kësaj fjale do t’i qëndrohet ngahera strikt. Ndërkohë që edhe vetë shtete të BE-së votuan ndryshe.

Po sa të besueshëm janë shqiptarët me SHBA-në? Si mund të jemi të besueshëm kur kemi kaq shumë probleme me krimin dhe korrupsionin, kur një kryeministër shqiptar nuk merr dot vizë për në SHBA?

Me SHBA-në fituam luftën e Kosovës, por si duket shqiptarëve po u ngjan si rusëve pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik fitoi luftën, Gjermania fitoi paqen.

Organizata Freedom House në raportin e saj për parimet demokratike për vitin 2017, Shqipërinë dhe Kosovën e rendit mes vendeve pjesërisht të lira, ndërsa Serbinë dhe Kroacinë e rendit mes vendeve të lira.

Pra Serbia, e cila e ka grurë me Moskën, e cila konsiderohet nga SHBA si vend me liri demokratike, së cilës do t’i hapet dera për në BE para Shqipërisë dhe Kosovës, po e fiton paqen, edhe pse humbi luftën dikur.

Ka komente dhe analiza të shumta nga shqiptarët për krimin ndaj serbit Ivanoviç, parashikime, supozime, retorika etj etj, edhe nga autoritete dhe njerëz të njohur. Por, një detaj sikur anashkalohet, ai i korrupsionit në shtetet shqiptare. Ky korrupsion është më i keq edhe se serbi më i keq. Të besojmë se ky korrupsion do ta hajë kokën. Është çështje kohe. Më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: