TIRANE- “VIP”­at e Tiranës rezultojnë debitorë në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Kavajë, pasi prej muajsh nuk shlyejnë detyrimet e shërbimit të ujit të pijshëm. Burime zyrtare nga Ndërmarrja e Ujësjellësit Kavajë thanë për gazetën se pjesa më e madhe e fshatrave turistike dhe vilave përgjatë vijës bregdetare të zonës së Golemit e Qerretit, janë debitorë pranë kësaj ndërmarrjeje.

Madje, sipas të njëjtave burime, pjesa dërmuese nuk kanë lidhur ende kontratën dypalëshe me ndërmarrjen, pavarësisht se furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm. Shfrytëzimi i këtyre resorteve turistike, kryesisht përgjatë sezonit veror, ka ulur ndjeshëm arkëtimet pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit. “Jemi në një situatë alarmante sa u përket treguesve ekonomikë të ndërmarrjes. Ndërmarrja arrin të mbledhë vetëm 52 % të faturave, ndërsa 42 % nuk paguajnë ujin e pijshëm. Zona e Golemit dhe konkretisht vilat e fshatrat turistike të shtrira përgjatë bregdetit të Golemit dhe Qerretit, të “VIP”­ave të Tiranës, janë debitorë në Ndërmarrjen e Ujësjellësit Kavajë. Më saktë, zona e Golemit dhe Qerretit thuajse nuk paguajnë për shërbimin që marrin nga Ndërmarrja e Ujësjellësit Kavajë, ndonëse furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm”, u shpreh nëndrejtori i Ujësjellësit Kavajë, Rrushdi Islami, i cili mbulon edhe sektorin e ekonomisë në këtë institucion.

MUNGESA E UJIT TË PIJSHËM
Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm i zonave të ndryshme të rrethit Kavajë, përfshi edhe ato bregdetare, ka ardhur si pasojë e mungesës së ujit. Shkarkimi i rezervuarit të Manskurisë përgjatë muajit, prej të cilit furnizohet Ujësjellësi i Kavajës, ka bërë që ndërmarrja të ruajë rezerva, duke dërguar shumë pak ujë të pijshëm në shtëpitë e 70 mijë abonentëve.
“Disa muaj më parë shkarkuam rezervuarin e Manskurisë, të cilit i është dëmtuar diga. Kjo ka bërë që Ndërmarrja të mbajë rezerva dhe të dërgojë më pak ujë tek abonentët. Ujësjellësi i Kavajës furnizohet pikërisht nga rezervuari i Manskurisë, ndaj edhe kemi pasur probleme përgjatë sezonit turistik për furnizimin me ujë të pijshëm”, pohon Islami.
(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: