TIRANE – Një kokërr mollë e kafshuar në të dyja anët, në kopertinën e librit, na ngas të mendojmë se bëhet fjalë për mëkatin e parë, atë të parin fare të Evës dhe Adamit. Por në fakt nuk është kjo. Bëhet fjalë për një mëkat, ose më saktë shumë syresh që kanë ndodhur dikur në viset arbërore, ndoshta. Mund të ketë ndodhur që, ajo nusja altruiste që u shtri e gjallë në muret e Rozafatit, me një dorë e një gji jashtë, për të mëndur foshnjën, të mos qe tjetër veçse nusja tradhtare e vëllait të vogël të shtëpisë e që për t’i mbyllur gojët botës, e murosi në muret e kështjellës.

Mundet që Kostandini e Doruntina të ishin motër e vëlla e të kishin një marrëdhënie incesti e për t’i shpëtuar gjëmës që do t’u binte mbi kokë, sajuan një martesë në dhe të huaj. Kështu mund të kenë qenë bërthamat e legjendave që shkuan gojë më gojë e morën ato përmasa që rapsodët i këndonin me vargje që të ngjethnin mishtë. Ato legjenda që ballkanasit zihen mes tyre për t’i pasur ekskluzivite të tyret. Ky mund të ketë qenë “Mëkati fillestar”, që Virgjil Muçi na e sjell në trajtën e një libri për të na shtënë në ngasje e të vëmë në “dyshim” gjithë ç’kemi besuar e kënduar.

Vetëm pak ditë më parë, shtëpia botuese “Pegi” ka hedhur në qarkullim veprën më të fundit të shkrimtarit Virgjil Muçi. Ashtu siç e pranon edhe ai vetë, i dhënë pas përrallave, miteve e legjendave, por me sa duket edhe më tepër për të kuptuar se si lind një syresh, Muçi na sjell një vepër që i “rrëzon” të gjitha mitet, jo vetëm duke vënë në dyshim historitë e tyre, por duke i përmbysur ato tërësisht e duke i transformuar në ca romanca, gati¬ gati banale, që nëse do të ishin rrëfyer ashtu si kishin ndodhur do të renditeshin si “turpe” nga njerëzit e shumë shpejt do të harroheshin. Metamorfoza nxori në dritë një këngë, ndërsa “heronjtë” e vërtetë nuk u turpëruan.

LIBRI
Libri i Virgjil Muçit është strukturuar në tri pjesë, që ai i quan “pamje”. Pamja e parë, nën titullin “Kënga e sprasme e Kokërr B¬së” shpjegon gjithë filozofinë e librit, dyshimet e autorit mbi krijimin e një rapsodie apo kënge, ndërsa dy të tjerat “Kështjella tjetër” dhe “Kostandini e Doruntina¬ Një histori dashurie (e pamundur)”, ofrojnë dy variante krejt të ndryshme nga legjendat që kanë ardhur deri më sot, asaj të murimit dhe të besës së dhënë apo vëllait të vdekur, siç njihet ndryshe.
Ai ndërton mjeshtërisht atmosferat e çdonjërës prej historive: së pari Malësinë e gjysmës së parë të shek. XX, doket, zakonet, që thureshin me varfërinë nga njëra anë dhe manipulimin e atyre që mund të paguanin t’i ngrinin një këngë vetes, nga ana tjetër.

Te dy të tjerat ai davarit atmosferën mistike të legjendave, duke i kthyer ato në histori tepër tokësore, ngjizur me nota ironie. “Ishte fantazia që, teksa lexoja e stërlexoja “Legjendën e Rozafës”, kuturisi në asi shtigjesh, me gjasë të pashkelura dhe ngriti pyetjet e mbështjella me petkun e detektivit: Si ka mundësi që muret që ngrihen ditën të vithisen natën… çfarë fshihet vallë pas këtij misteri shkatërrimtar”, shkruan në epilogun e veprës autori, teksa kalon te legjenda e Kostandinit e Doruntinës. “A nuk është dashuria ajo forcë, madje e vetmja forcë, që mund ta ngrejë të vdekurin nga varri dhe ta bindë vashën t’i bjerë pas atij, që nuk është tjetër veçse një hije”?

KËNGA E GËNJESHTËRT
Pamja e parë na ngjit në Malësi, ku shkrimtari i njohur i viteve ’30¬’40 Ernest K. (Ernest Koliqi) i ftuar nga kapedani Ram Çeta e fton në kullën e tij të marrë pjesë në aktin sublim të thurjes së një kënge. E veja e të vëllait i kishte ndarë kokën më dysh një burri që kishte dashur ta çnderonte në kullën e saj dhe kapedani kishte thirrur rapsodin më të famshëm të kohës Kokërr B., që t’i thurte një këngë burrneshës, por të ngrinte lart edhe fisin e Çetajve që s’u bënte syri tërr ballë armikut e qeverisë.

Një ëndërr e hershme e Ernest K., për të parë se si ngjizej një këngë që kalonte gojë më gojë e brez pas brezi. Cila ishte lënda e parë e si gatuhej. Pasi vargjet u thurën e kënga mori formë (për të marrë dhenë, siç do të tregonte koha, por duke marrë ngjyrime edhe më heroike), shkrimtari do të nuhaste se kishte ca boshllëqe e ca detaje që i shpëtonin logjikës. U desh një “investigim” i vogël për të mësuar se burrnesha nuk ishte në të vërtetë gruaja e të vëllait të kapedanit, por bashkëjetuesja, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Ram Çeta, që kurrë s’e kishte pranuar këtë lidhje, pas vdekjes së të vëllait e kishte shfrytëzuar gruan e varfër për të shtënë në lak e për të vrarë, le ta quajmë, pa hyrë në detaje, një kundërshtar politik. Ramës iu ngrit kënga, ndërsa gruaja do të kalbej në burg për një krim që nuk e kishte kryer.

“Kështjella tjetër” na çon pranë mureve të Rozafatit në Shkodër, ku gjejmë po tre vëllezër, por në një tjetër kohë dhe me një tjetër hall. Ndryshe nga tre vëllezërit e legjendës, këta të tjerët donin të shembnin muret e kështjellës, por për habinë e tyre, çdo mëngjes i gjente ato të paprekura. Ia beh një plak që u tregon sekretin e kështjellës, duke zbardhur kështu edhe historinë e vërtetë dhe jo legjendën e famshme të nuses së murosur.

Ishte e vërtetë se tre vëllezërit nuk arrin dot ta ngrinin kështjellën në këmbë se çdo mëngjes i gjenin ato të rrëzuara, po jo për shkak të ndonjë thagme mbinatyrore, por se një nga ustallarët kishte rënë në sevda me nusen e vëllait të vogël. Për të zgjatur kohën e qëndrimit pranë gruas që donte, ai shembte çdo natë muret. Kur “detektivi” i vënë nga vëllezërit i ra në të historisë, ua tregoi atyre, por për të ruajtur faqen e bardhë, do të sajonin historinë e murimit. Vërtet një grua u muros, por jo për të shuar mallkimin, por si dënim i tradhtisë bashkëshortore.

INCESTI MES KOSTANDINIT DHE DORUNTINËS
Historia e Kostandinit dhe Doruntinës vjen në formën e një rrëfimi nga dy të rinjtë. Zhveshur nga lustrat e kohës dhe elementët mbinatyrorë që i janë veshur historisë, ata e rrëfejnë ngjarjen ashtu si ka (si mund të ketë) ndodhur. Madje, ata qeshin me mënyrën se ai ajo histori dashurie këndohej nga rapsodët, me udhëtime joreale, me të vdekur që ngjallen, me varre që kthehen në kuaj e zogj të verdhë (s’dihet pse ishte i verdhë) që çonin lajme… “Më vinte hem për të qeshur, hem për të qarë, kur mbaja vesh e dëgjoja rapsodin tek këndonte e më vinte në gojë fjalë aq të bukura me kumbim poetik, sa as ëndërruar s’i kam e jo më t’i nxirrja nga goja e derdhja në këngë”, thotë Doruntina.

Kostandini ishte më i vogli i shtatë vëllezërve dhe u dashurua me Doruntinën, qysh se e pa për herë të parë, ende kërthi. Ata e donin njëri¬tjetrin, por ishte një dashuri e pamundur, e dënueshme. Kështu ndodhi që Kostandini e marton larg të motrën te një vëllami i tij në Krali. Është ai që ngul këmbë për ta martuar atë larg. Vite më vonë, kur Doruntina mëson për murtajën e rënë në vendin e vet, merr udhën dhe shkon në shtëpi, ku gjen shtatë varre dhe nënën plakë që e mallkon, për gjëmën që kishte sjellë në shtëpinë e tyre. Ajo e kishte ditur për dashurinë e saj dhe të Kostandinit dhe për të, ajo ishte e vdekur, qysh të shtatë vëllezërit u vranë mes tyre me thika.(panorama)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb