Në vendin tonë dhe në trojet e banuara nga shqiptarët kanë filluar të përkujtohen disa ngjarje epokale, ku spikat 550-vjetori i vdekjes se Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ; për të vijuar me 140 vjetorin e krijimit të Lidhjes së Prizrenit që mbrojti me vetëmohim dhe vendosmëri çështjen kombëtare shqiptare; 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit që miratoi të parin alfabet të gjuhës shqipe dhe së fundi, por jo më pak i rëndësishmi 10-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt.

Veç kësaj, bie në sy se viti 2018 ka dhe 25 jubile të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar të lidhur ngushtë dhe me vendin tonë, për të mirë e për të keq. Janë ngjarje madhore të bukura e të gëzuara, por dhe të hidhura e të dhimbshme, që ndajnë epoka të tëra, lindjen e njerëzve të shquar, përfundime luftërash, krijime aleancash dhe organizatash ndërkombëtare, bllokada dhe ballafaqime ushtarake, ndërrime pushtetesh, etj.

Le t’i shohim një e nga një kronologjikisht, duke bërë kësisoj dhe një kalim në kulmet më të shënuara të historisë botërore dhe asaj të vendit tonë. Jo vetëm për kureshtje intelektuale, por, sepse prej tyre vazhdojnë të nxirren shumë mësime të vlefshme, që të mos përsëriten më « izmat» e këqija të së kaluarës dhe të konsolidohen arritjet dhe vlerat e spikatura të shoqërisë demokratike.

Nga mesjeta po përmendim vetëm Luftën 30 vjeçare ndërmjet disa vendeve të fuqishme evropiane, lufta më e madhe fetare që shkaktoi 8 milionë viktima. Ajo përfundoi në maj 1648 me nënshkrimin e Traktatit historik të Vestfalisë që në përgjithësi mbrojti paqen dhe sigurinë në Evropë deri në luftërat napoleoniane.

Duke shkuar në shekullin e XIX, më 5 maj 1818 lindi në Trier të Gjermanisë Karl Marks, mendimtar, filozof, sociolog dhe ekonomist me përmasa botërore. I konsideruar dhe si « Profeti » i komunizmit. Në Shqipëri shkollën e Marksit e ktheu në sistem diktatorial, duke e bashkuar padrejtësisht me Leninin dhe Stalinin Enver Hoxha që lindi më 16 tetor 1908.

Padyshim që një ndër ngjarjet më tingëlluese të këtij shekulli ishte Revolucioni Industrial në Gjermani, Britani, Francë, etj. që filloi në vitin 1848 me shumë arritje dhe pasoja të njohura.

Më tej, më 10 qershor 1878 u mbajt nën drejtimin e « Kancelarit të Hekurt » Otto von Bismark Kongresi i Berlinit, pikë e madhe reference për Ballkanin dhe sidomos çështjen shqiptare të përfaqësuar po atë vit nga Lidhja monumentale e Prizrenit.

Më 9 nëntor 1888 lindi Jean Monnet, një ndër ideatorët, krijuesit dhe drejtuesit më të shquar të Evropës së re të bashkuar.

Duke kaluar në shekullin e XX, më 9 nëntor 1918 u krijua Republika demokratike e Weimarit në Gjermani me President ikonën e social-demokracisë Fridrich Ebert, e cila u asgjësua në mënyrë kriminale 15 vite më vonë nga Hitleri.

Vetëm dy ditë më vonë, më 11 nëntor 1918 përfundoi Lufta e Parë Botërore që u kthye në kasaphanë të vërtetë. E megjithatë, siç dihet prej saj nuk u nxorën mësimet e duhura.

Ndërsa në Dhjetor 1918 lindi Helmut Schmidt, Kancelar emblematik gjerman ( 1974 – 1982) që ndërroi jetë tre vjet më parë.

20 vjet më vonë, më 9 Nëntor 1938 forcat naziste ndërmorën «Natën e xhamave të thyer» kundër qindra pronave, bizneseve dhe qendrave kulturore të hebrenjve në Berlin; në fakt, ajo shënoi fillimin e lançimit masiv të hebrenjve në vitet që do të vinin.

Pas Luftës së II Botërore, viti 1948 mund të konsiderohet si më i shënuari për Evropën e re që po lindte e ndarë. Ish-Bashkimi Sovjetik me Stalinin në muajin maj 1948 vendosi bllokadën e egër humanitare ndaj Berlinit Perëndimor, me qëllim që ta gjunjëzonte popullin e këtij qyteti dhe gjithë perëndimin. Por, dështoi pas 11 muajve përballë solidaritetit të fuqishëm të aleatëve perëndimore me në krye SHBA, të shprehur nëpërmjet Urës së famshme Ajrore të Berlinit, e ngritur dhe ajo atë vit, 70 vite më parë.

Po më 1948, Stalini u nda me Titon, të njëjtën gjë bëri dhe rrëgjimi ynë i asaj kohe, që u kthye përfundimisht në shtetin më stalinist në Evropë.

Ndërsa në botën perëndimore po ndodhte krejtësisht e kundërta.

Më 5 mars 1948 politikani emblematik Winston Çurcill paralajmëroi për herë të parë ngritjen e «Perdes së Hekurt» në Fulton, Missouri në SHBA dhe pak javë më vonë në fjalimin për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës.

Evropa që deri atëherë njihej si balancë e fuqive po rilindte mbi themele krejtësisht të reja të ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës. Siç e pohon historiani i shquar francez Jean – Baptiste Duroselle, viti 1948 shënoi dhe lindjen e Trefishtë të Evropës së re. Pasi kishin krijuar Paktin Mbrojtës te Brukselit, embrioni i NATO, më 19 – 20 Korrik 1948, ministrat e Jashtëm të Beneluksit, Francës dhe Anglisë miratuan njëzëri thirrjen e Robert Schumanit, ish-kryeministri i Francës për krijimin e Këshillit të Evropës po atë vit dhe BE-së; kjo e fundit filloi nga funksionimi si Tregu i Përbashkët Evropian me 1 janar 1958, pas nënshkrimit të Traktatit të Romës më 25 mars 1957. Ky vit i shënuar politik u mbyll më 10 dhjetor 1948, kur OKB miratoi në Paris Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut.

20 vjet më vonë, në Maj 1968, në shumë vende perëndimore shpërthyen lëvizjet dhe protestat masive të rinisë dhe studentëve që morën trajtën e një revolucioni të vërtetë social kundër kapitalizmit, konsumatorizmit, traditave konservatore, etj. Ishin një tërmet i fuqishëm politik për sistemin dhe qeveritë perëndimore, të cilit nuk i shpëtoi dot as mitiku francez Charles de Gaulle.

Ndërsa në ish-kampin komunist, më 21 Gusht 1968, Bashkimi Sovjetik sulmoi ushtarakisht Çekosllovakinë; për të parën herë në histori një vend pushtoi « vëllain » e tij më të vogël. Për pasojë, më 13 Shtator 1968, vendi ynë e denoncoi dhe doli nga Traktati i Varshavës.

Më 16 mars 1978 «bandat e kuqe» në Romë rrëmbyen dhe vranë pas një odiseje tejet të dhimbshme gati dy mujore ish- kryeministrin e shquar italian, Aldo Moro, ngjarje që gozhdoi dhe tronditi Italinë dhe botën. Ndërsa në Shqipëri ky vit shënoi prishjen zyrtare të marrëdhënieve me Kinën, pas divergjencave të shumta ideologjike. Pas kësaj, të mbetur fillikat vetëm, te ne filloi zbatimi i parimit famëkeq të « mbështetjes tërësisht në forcat tona » që bashkë me ndalimin e kredive, ndihmave, tufëzimin, etj. ai e çoi drejt greminës regjimit monist.

Gjithsesi, më 22 tetor 1988, vendi ynë nënshkroi më në fund Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik, Teknik dhe Financiar me Gjermaninë Federale, e para e këtij lloji me një vend perëndimor. Në fakt, kjo marrëveshje ishte dhe « testamenti» politik i liderit legjendar të Bavarisë, mikut të madh të vendit tonë, Franz Joseph Straus që pas tre vizitash historike në Shqipëri, mbylli sytë vetëm tre javë përpara nënshkrimit të saj 30 vjet më parë.

Vite më vonë, në shtator 1998, në Gjermani, pas 16 vjet sundimi demokratik, babai i Gjermanisë së ribashkuar, Helmut Kohl u dorëzua me zgjedhje demokratike përpara pasardhësit të tij Gerhard Schroder; kurse në Tiranë, as një vit pas trazirave të 1997, grupe dhe banda të armatosura të nxitura nga ish opozita e atëhershme organizuan duke marrë shkas nga vrasja e Azem Hajdarit rebelimin e turpshëm por të dështuar për rrëzimin me dhunë të qeverisë. SHBA dhe Evropa e bënë të qartë se periudha e rrëzimit të qeverive të zgjedhura demokratikisht nga rruga dhe bandat e armatosura kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Dhe vijmë kështu te data 17 shkurt 2008, kur pas demarsheve dhe përpjekjeve të pareshtura, Kosova u shpall Republikë e Pavarur, duke realizuar kësisoj ëndrrën e saj dhe tonën shekullore.

Së fundi, ky vit me aq shumë ngjarje jubilare ka ardhur dhe me shpresën e madhe që në javët e ardhshme, të ndizet drita jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit tonë në BE. Kjo do të ishte një datë tjetër e madhe dhe fatlume në albumin historik të vendit tonë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/02/04/vit-rekord-30-data-jubilare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: