Viti 2016 ka qenë një vit i mbrapsht për skenën dhe artin në Shqipëri. Pesë aktorë kanë ndërruar jetë, jo vetëm për shkaqe natyrale. Disa prej tyre kanë qenë të parakohshme dhe të papritura për publikun shqiptar që i ka duartrokitur gjithë jetën.

Kështu, kujtojmë se më 20 prill, ka ndërruar jetë Dhimitra Plasari, aktorja e teatrit të Korçës dhe e filmave të kinostudios “Shqipëria Sot”. Plasari u bë e njohur në filmat, si “Dimri i fundit”, “Streha e re” “Vajzat me kordele të kuqe”, Përballimi” etj. Aktorja do të mbahet mend për rolet e saj përkrah emrave të njohur të kinematografisë shqiptare si Pandi Raidhi, Dhorkë Orgocka, Jani Riza, Sandër Prosi, Stavri Shkurti etj.

Dhimitra Plasari

Më 6 gusht ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare aktori i njohur Demir Hyskja. Ai vuante prej tre vitesh nga veshkat, diabeti dhe tensioni i lartë. Hyskaj ka vdekur në banesën e tij. Demir Hyskja ishte një ndër aktorët më të mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar. Ai i përkiste plejadës së shquar të aktorëve që bënë histori si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka etj. Hyskaj ishte aktori i vetëm që kishte lejen nga Enver Hoxhën të bënte zërin e tij por pa shfaqur figurën si në filmin “Shtigje Lufte”. Ndërkaq në filmin “Në fillim të Verës” ka luajtur rolin e Hysni Kapos i cili ishte numri dy i regjimit.

demir hyskja

Më 27 tetor, u nda nga jeta veterania e filmit Melpomeni Çobani. Çobani, për kontributin e saj artistik, është vlerësuar me titullin “Artiste e Popullit” Ajo ka interpretuar role të suksesshme si në dramë ashtu edhe komedi. Disa prej tyre janë: “Rrënjët e thella”, “Fejesa”, “Vajza nga fshati”, “Prefekti”. Ka interpretuar në më se 1500 role për gati 40 vjet punë në Estradë. Ka interpretuar edhe në kinematografi role të spikatura  si ai i fatorinos , në filmin “Kapedani”,  apo “Tela për violinë”.

Melpomeni-Cobani-1

28 nëntor, krejt në heshtje dhe pa asnjë lajmërim mediatik, ndërroi jetë si pasojë e leucemisë akute Elida Cangonji. Të gjithë e mbajmë mend vajzën me emrin “Zana” në filmin shqiptar “Rrugë të bardha”, rol i dashur për publikun luajtur nga aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare. Cangonji ushtronte profesionin mjekes psikiatër prej 30 vjetësh.

Elida-Cangonji

Ndërkohë, sot në mëngjes (26 dhjetor), si pasojë e një infarkti ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare aktori i njohur Bujar Lako. Ai ka qenë i njohur për shumë role në filma, ku midis tyre veçojmë: “Gjeneral gramafoni”, “Ballë për ballë”, “Udha e shkronjave”, “Udha e shkronjave”, “Ballë per ballë”, “Kthimi i ushtrisë se vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” etj. Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role. Numëron dhjetëra çmime e kupa për rolet e tij në kinematografinë shqiptare.

Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar”. Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i republikës.

bujar-lako1

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb