TIRANË- Profesori dhe analisti Mark Marku ka folur sot në studion e “Opinion” në News24 për qeverinë e re, reformat dhe prioritet që duhet të ketë kjo qeveri.

Marku e quajti të rrezikshëm pushtetin e kryeministrit Edi Rama, tashmë që qeverinë e ka të gjithën nën drejtimin e tij, raporton “BalkanWeb”.
“Kjo ide është e rrezikshme, një kryeministër që jo vetëm shpërfill opozitën por edhe institucionet e veta, i tejkalon”, u shpreh Marku.

Në lidhje me dy vendimet e qeverisë jo zyrtare për heqjen e certifikatave nga qarkullimi dhe shpalljen e vitit 2017 “Viti i Skënderbeut”, Marku tha se janë propagandë dhe jo prioritete.

“Viti i Skënderbeut normalisht është një gjë e mirë, një moment përkujtimor. Por në thelb nuk mund të jetë ky prioriteti i qeverisë. Truk propagandistik. Sa herë forcat politike ose qeveritë ndodhen në situata që nuk dinë çtë bëjnë shpikin histori të tilla. Kujtoj PD-ja dikur 100-vjetorin e pavarësisë. Viti i Skënderbeut në thelb nuk është zhvillim. Zhvillim është raporti me administratën. Rama e ka shpall si prioritet të qeverisë së vet. Ideja e përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve nëpërmjet administratës publike. Mendoj që edhe këtu ka një lloj mashtrimi. E para që Rama po thotë që do ta përmirësojë administratën sikur nuk ishte vetë në pushtet, ndërkohë që është produkt i tij kjo administratë. Nuk është ky prioritet i qytetarëve, certifikatat. Janë një shqetësim por nuk janë prioritet. Prioritet është papunësia, varfëria. Është një produkt, nuk mund të konsiderohet si një prioritet i qeverisë…E para është si do reformohet administrata publike, ne nuk kemi një projekt. Kjo maxhorancë ka bërë ligjin për administratën publike me sa mbaj mend që do të thotë se administrata është reformuar sipas një ligji se nuk mund ta reformosh përmes takimeve me qytetarët. Prioritetet e mëdha që ka vendi ynë janë ekonomia, jemi një vend në krizë, me papunësi shumë të madhe, me eksod. Ky është problem edhe për vitet e ardhshme. Jemi më shumë se gjysma jashtë. Korrupsioni duhet luftuar aty ku është. Është tek vendimmarrja, tek tenderat. Fuqia e qeverisë është e përqendruar në 2-3 ministri, se për çfarë nuk e di. A është përqendruar për të bërë më shumë punë apo për të marrë më shumë fonde kjo mbetet për t’u parë”, deklaroi Marku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb