SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur fjalimin e parë si president para Kongresit Amerikan. Trump shpalosi  planet dhe vizionin e tij përpara të dyja dhomave të Kongresit, ku bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë. Në fjalimin e tij Trump preku shumë tema të cilat i ka diskutuar dhe i ka thënë edhe më parë. Trump u shpreh se do ta bëjë sërish Amerikën të madhe dhe kjo sipas tij do të arrihet duke vendosur në plan të parë qytetarët amerikanë. Trump ndër të tjerash tha edhe se do të riformojë sistemin e emigracionit dhe se do të nisë ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Presidenti tha se ai dëgjoi “lutjet” e popullit amerikan dhe filloi zbatimin e ligjeve të emigracionit, të cilat ai tha se do të rrisin rrogat, do të ndihmojnë të papunët, do të kursejnë miliarda dollarë, dhe do ta bëjnë vendin më të sigurt për të gjithë.
Ai tha se ai po ndërmerr masa të forta për të mbrojtur vendin nga “terrorizmi radikal islamik” me shtimin e kontrollit të emigrantëve të mundshëm. Presidenti tha se SHBA nuk mund të bëhet një bazë terrorizmi dhe një foltore për ekstremistët. Zoti Trump tha se ka udhëzuar Pentagonin të hartojë një plan për të mundur Shtetin Islamik, të cilin e quajti një “rrjet egërsirash të paligjshme” që kanë masakruar myslimanë dhe të krishterë, gra dhe fëmijë.
Ai tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë harxhuar triliona dollarë në vende të tjera, vetë infrastruktura amerikane është rrënuar.
Presidenti tha se “Amerika mund të bëhet sërish madhështore vetëm nëse vendos të parët vetë shtetasit e saj.”
Brenda vendit, Presidenti tha se industritë që po zhduken do të rikthehen sërish në jetë, ndërsa veteranët ushtarakë heroikë do të marrin ndihmën që u nevojitet me dëshpërim. Rrugë të reja dhe ura të reja do të zëvendësojnë infrastrukturën e rrënuar, tha ai.
Presidenti u zotua t’i japë fund epidemisë së drogave në vend, dhe t’i japë shpresë dhe rilindje qyteteve dhe rinisë amerikane.
Presidenti bëri një përmbledhje të progresit të bërë që nga inaugurimi i tij, përfshirë angazhimin e kompanive kryesore për hapje vendesh të reja pune, ngrirjen e punësimit në qeverinë federale, si dhe nxjerrjen e SHBA nga Marrëveshja e Tregtisë së Trans-Paqësorit, që ai e quajti “një marrëveshje që vret vendet e punës”.
Lidhur me politikën e jashtme, Presidenti bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe të drejtpërdrejtë me botën. Kjo, – tha ai, – është një politikë e rolit udhëheqës amerikan në bazë të interesave jetike të sigurisë që SHBA ndajnë me aleatët.
“Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e farkëtuar përmes lidhjeve gjatë dy luftërave botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Dhe tani, bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar të bëjnë pikërisht këtë,” – u shpreh Presidenti Trump.

(I.Ç/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb