* Merkel: Reforma në drejtësi, shihni përvojat e BE
* Merkel: Nga Shqipëria nuk duam azilantë, por fuqi punëtore të kualifikuar
* Rama: Integrimi i Ballkanit perëndimor jo thjesht nevojë e jona por gjithnjë e më shumë projekt i BE-së
* Rama: Migrimi? Duhet t’u japim njerëzve një perspektivë, si çelja e negociatave
* Merkel: Nuk ka lider në Europë që të jetë kompetent për të gjitha çështjet, e njëjta gjë vlen edhe për Ballkanin
*Merkel takim me Presidentin Nishani
*Vizita e Merkel ne Tirane e ilustruar dhe me foto

TIRANE- Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel zhvilloi sot vizitën e parë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të turit Ballkanik. Reforma në drejtësi, azilkërkuesit, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kanë qenë temat kryesore që kancelarja gjermane Angela Merkel diskutoi sot në vizitën e parë në Tiranë me kryeministrin Edi Rama. Këtë e bëri të ditur personalisht vetë ajo në konferencën e përbashkët për shtyp që pati me kreun e qeverisë shqiptare. Një takim të përbashkët Merkel e pati dhe me presidentin Bujar Nishani.

Merkel ka dëshmuar përpikmërinë gjermane duke mberritur ne Shqiperi sipas axhendes se percaktuar, pa luajtur as dhe nje minute nga oraret e njoftuara. Në orën 13:50 minuta autokolona që e shoqëronte u nis nga Aeroporti i Rinasit drejt selisë së Kryeministrisë, ku u prit nga kryeministri Edi Rama në hollin Kryeministror, rreth orës 14:15.
E veshur thjesht me nje xhakete ngjyre korali dhe pantallonat te bardha, Merkel shtrengoi duart per here te pare ne Tirane me kryeministrin Edi Rama. Në orën 14:15 u zhvillua pritja shtetërore e nivelit më të lartë.

Pas takimit kokë më kokë prej 15 minutësh me kryeministrin Edi Rama, dhe takimit mes dy delegacioneve, në orën 15.50 nisi dhe konferenca e përbashkët për shtyp per te vijuar me pas takimin me presidentin Bujar Nishani. Stacioni i fundit i Merkel ka qenë Forumi ekonomik, ku sërish ka mbajtur një fjalim duke u fokusuar tek investimet gjermane. Merkel ka lënë Shqipërinë rreth orës 18:20.

MBYLLET FORUMI EKONOMIK, MERKEL LË TIRANËN

Ora 18:15- Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka mbyllur punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Gjermani dhe më pas i është drejtuar Aeroportit “Nënë Tereza”, duke lë Shqipërinë pas qëndrimit që zgjati rreth 4 orë e për të udhëtuar drejt Serbisë.

Ora 17:40- Kryeministri Edi Rama dhe Kancelarja Merkel kanë marrë pjesë në Forumin Ekonomik Shqipëri-Gjermani, ku kanë folur për investimet gjermane në vend dhe mundësitë që ofron Shqipëria. Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

KONFERENCA EKONOMIKE, RAMA: MIRËPRESIM SIPËRMARRËSIT GJERMANË. MERKEL: TË GATSHËM TË INVESTOJMË, POR TERRENI I PASIGURTË
Ora 17:00-Pas konferencës së përbashkët me Kancelaren Merkel, Kryeministri Edi Rama u ndal në “Tirana Biznes Park” ku mori pjesë në Konferencën e 8-të Ekonomike Gjermani-Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Rama theksoi se investimet Gjermane në Shqipëri janë të mirëpritura. Ai u shpreh se këto investime krahas të ardhurave sjellin edhe një kulturë të re menaxhimi.

“Ndalesa e Kancelares Merkel në këtë park biznesi, e bën të plotë një ditë shumë të shënuar për marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë. Një urë ndërveprimi ku nuk duhet të qarkullojnë vetëm para por edhe dije të reja, kulturë e re. Praktikisht këtu parashikohet të punësohen deri në përfundim të investimit 10 mijë vet dhe pse sipërmarrja gjermane promovon një kulturë të re me punën dhe ligjin. Kancelarja Merkel e kupton pa u habitur vështirësinë e vendeve evropiane të dala pas perdes së hekur për t’u përshtatur me kulturën e punës evropiane. Shqipëria i ka rënë të paguaj edhe koston më të lartë pasi për vendin tonë izolimi ishte edhe më i shtrenjtë. Ne kuptuam të vërtetën e pamëshirshme se për ta bërë Shqipërinë si Europa do na duhej më shumë kohë se ditët që na u deshën për të rrëzuar regjimin. Nivelin e zhvillimit të vendit nuk e përcaktojnë ato që kemi por ato që dimë. Nëse ka dicka të pazëvendësueshme dhe të pakonkurrueshme në alternativën e integrimit në BE është potenciali i madh i dijes.”- u shpreh Rama.

Më tej Rama theksoi se Shqipëria është ende në luftë për të ndryshuar imazhin që është krijuar tek investitorët e huaj. “Edhe pse gjermania është një nga partnerët kryesor tregtar, jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për vite të tërë si dhe korrupsionin në drejtësi që përbën një kancer të vërtet në shtetin shqiptar. Kthesa e nisur në arsim duke ndjekur me besim të madh modelin gjerman për arsimin profesional do filloje të japë rezultate.

Reformat tona janë duartrokitur nga të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare. Janë investimet e huaja direkte ato që do bëjnë diferencën për të kaluar nga një model i vjetër dhe i shteruar ekonomik që kishte burime remitancat në një model ekonomik me burime rritje të qëndrueshme. Jemi gati të mirëpresim investimet gjermane në çdonjërën nga këto fusha.”- u shpreh Rama.

Me humor kryeministri ai u shpreh se shqiptarët gëzohen më shumë kur fiton kampionatin Gjermania sesa kur fiton zgjedhjet PS. “Kur gjermania fiton kampionatet ka më shumë shqiptarë të gëzuar se kur Partia Socialiste fiton zgjedhjet.”-u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “Asnjë organizatë e madhe nuk është asnjëherë e çliruar nga problemet edhe sfidat dhe se problemet që po has tani BE-ja janë më të mëdhajat”.

“Europa është një forcë për mirë, apo është një forcë për keq? Unë vetë e di përgjigjen dhe kancelarja Merkel është një pjesë e mirë e përgjigjes. Për ata që pyesin pse dreqin duam të bëhemi pjesë e BE-së, ,ne shqiptarët e kujtojmë shumë mirë, se kur diskutohej çështja e statusit të vendit kandidat kishte shumë kundërshtime, por kancelarja Merkel e pa bigger picture”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kancelarja Merkel falënderoi për mikpritjen duke shtuar se marrëdhëniet e mira mes qeverive duhet të pasqyrohen me marrëdhënie të mria mes njerëzve, ku bëjnë pjesë edhe ato ekonomike.

“Falënderim për pritjen kaq miqësore në këtë vned. Mendoj se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk duhen parë vetëm mes qeverive. Por bëhet fjalë edhe marrëdhëniet mes njerëzve dhe këtu bëjnë pjesë edhe ato ekonomike. Ky aktivitet zhvillohet për të tetën herë, kjo reflekton interesin në ngritje të Gjermanisë. 218 mln euro investime, që ka mbërritur në këtë nivel si pasojë e prekjeve të shumta, por është e aftë të rritet edhe më shumë. Ne kemi marrëdhënie të mira, sikurse është aeroporti, industria e tekstileve. Ekonomia gjermane është e gatshme të investojë nëse ka përshtypjen se lëviz në një terren të sigurt nga pikëpamja ligjore, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Shqipëria si vend i investimit”, tha Merkel.

Kancelarja gjermane tha gjithashtu se “Punëmarrësit shqiptarë janë të rinj, të motivuar, të arsimuar dhe se sipërmarrjet gjermane ofrojnë mundësi të mëdha. “Mes nesh edhe bursantë të rinj. Praktika në sipërmarrjet gjermane ofron mundësi të mëdha që të rinjtë e vetëdijshëm të bëjnë përpara. Momentalisht një numër shqiptarësh shkojnë për azil në Gjermani. Ky është paradoks, Shqipëria ka marrë statusin kandidat, por ky status nuk mund të merret, kur ka ende azilkërkues që akuzojnë shtetin për ekonominë”, tha ajo.

Merkel sqaroi gjithashtu deklaratat e saj të bëra gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama për çështjen e fuqisë punëtore që kërkon Gjermania.

“Sigurisht që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore, por kushtet duhen qartësuar. Rruga e azilkërkimit nuk funksionon. Mundësi punësimi për fuqinë punëtore të kualifikuar. E mirë që landet federale të bashkëpunojnë me Shqipërinë. Dëshiroj t’ju inkurajoj zoti Kryeministër të vazhdoni në këtë rrugë. Gjermania ka si shtyllë të dytë dhe mjaft të rëndësishme, formimin profesional, mendoj se kjo do të krijonte mundësi tek të rinjtë. Dëshiroj t’ju inkurajoj në këtë rrugë. Në Gjermani do të mund të mbështesnim, formimin profesional, si infermierët, duke bërë ekuvailimin e diplomave”, tha Merkel.

Kancelarja falënderoi kryeministrin Rama për krijimin e lehtësirave për sipërmarrjet. “Në Shqipëri sipërmarrjet jetojnë në një vend jo aq të lehtë. Falënderim për kryeministrin për kapërcimin e diferencave të së shkuarës. Perspektiva për një jetë më të mirë në rajon, sigurisht që mund të zhvillohet më tej”, tha Merkel.

Më tej Merkel theksoi se Shqipëria dhe Gjermania luftojnë për të njëjtat vlera.“Shqipëria nuk është thjesht kandidat për në BE por edhe natare e NATO-s. Ne luftojmë për të njëjtat vlera. Bashkëpunimi ekonomik është vendosur në shumë të përbashkëta që kemi.”- u shpreh Kancelarja.

KANCELARJA MERKEL NIS TAKIMIN ME PRESIDENTIN NISHANI
Ora 16:35-Menjëherë pas konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama Kancelarja Gjermane Angela Merkel ndaloi në Presidencë ku ka nisur takimin me Presidentin Bujar Nishani. Takimi do të zgjasë 30 minuta. Më pas sipas axhendës Kancelarja do ndalojë në Forumin Ekonomik Shqipëri-Gjermani dhe pas tij do udhëtojë drejt Rinasit.
merkel me nishanin3

MERKEL: REFORMA NË DREJTËSI, SHIHNI PËRVOJAT E BE. AZILIANTËT? NUK I DUAM, DUAM FUQI PUNËTORE TË KUALIFIKUAR, SHQIPERIA E KA
Ora 16:00-Reforma në drejtësi, azilkërkuesit, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kanë qenë temat kryesore që kancelarja gjermane Angela Merkel diskutoi sot në vizitën e parë në Tiranë me kryeministrin Edi Rama. Këtë e bëri të ditur personalisht vetë ajo në konferencën e përbashkët për shtyp që pati me kreun e qeverisë shqiptare. Një takim të përbashkët Merkel e pati dhe me presidentin Bujar Nishani.
rama merkel

JA PJESE NGA FJALA E SAJ SOT NE TIRANE

Në momentin që thashë që do vij në Tiranë, e bëra me kënaqësi dhe gjatë udhëtimit tim këtu kur pashë shumë njerëz që më pritën, kjo tregon se se kemi bashkëpunim të gjerë mes dy vendeve.
Mendoj se kemi mundësi dhe më të mëdha për të arritur rezultate edhe më të mira në bashkëpunimin ekonomik. Mendoj që për Shqipërinë është e rëndësishme krijimi i kushteve ligjore që investitorët gjermanë e kanë të nevojshme t’i besojnë këtyre kushteve juridike.

Në rrugën prej marrjes së statusit si vend kandidat për në BE dhe procesit për vendin anëtar në BE, ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim.

Reformat në drejtësi, Shqipëria ka mundësi të shfrytëzojë përvojat e vendeve të BE sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Keni për të shfrytëzuar shumë në fusha si turizmi, fushën energjitike, telekomin, politika duhet të angazhohet më së shumti në këtë drejtim. Diskutuam dhe për rininë që ka nevojë për perspektiva të reja.

Azil kërkimi, kemi biseduar se cfarë mund të bëhet në të ardhmen në këtë drejtim, duke bërë të qarta se cilat do të ishin të domosdoshme në këtë drejtim, si diplomat për infermierë etj, Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të ishin azilantë, por Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe Shqipëria e ofron këtë fuqi punëtore.
“Nuk mundet që nga një vend që kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, të ketë njerëz që ikin të kërkojnë azil nëpër Evropë!”, tha Merkel.

Më tej, kancelarja Merkel theksoi se ka ardhur koha për të parë gjëra konkrete. Ajo u shpreh se e do anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe se procedurat nuk po zvarriten artificialisht, por duhen plotësuar standardet.

“Jemi duke mbërritur në momentin ku do shikojmë diçka konkrete. E dimë momentin që nëse vendosen këtë lidhje vendet mund të bëjnë para sëbashku. Folëm për vizitën me Vuçiç ku për vite të tëra ka pasur marrëdhënie të tensionuara por që për fat të mirë janë kapërcyer. Kjo do jetë e suksesshme nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor do ju sigurohet perspektiva e BE. Shqipëria para një viti mori statusin e vendit kandidat. Në momentin që diskutohet drejt procesit të anëtarësimi me lejoni t’u them është në interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të sigurt të anëtarësimit dhe ta bëjnë realitet atë. Ju uroj shumë sukses. Ju pjesërisht keni lënë pas vetes një kohë të vështirë rinia ka nevojë për perspektiva të reja. Kemi nënshkruar 6 marrëveshje të reja ekonomike që kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës energjitike si dhe fonde për të përmirësuar kushtet e jetesës së studentëve,”- u shpreh Merkel.

RAMA: KANCELARJA MERKEL KA DHËNË NJË PROJEKT PËR TË NGRITUR NË NJË NIVEL TË RI BE-NË
Ora 15:50-“Kancelarja Merkel i kupton më së miri përpjekjet dhe vështirësitë tona për të ecur drejt demokracisë,” deklaroi kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp. Ai theksoi se të gjitha çështjet duan një mendim nga kancelarja Merkel.“ I jam shumë mirënjohës Kancelares që është këtu sot me ne në vizitën e parë dypalëshe. E dinë të gjithë sa shumë çështje dhe njerëz kërkojnë kohë nga e saja. Kriza e thellë në Greqi dhe sfidat brenda BE, problematika e emigracionit në kërkon një përgjigje evropiane dhe botërore… Cilado qoftë çështja të gjithë duan të dinë opinionin e Kancelares Gjermane se ka rëndësi të dorës së parë. Ka një vlerë të madhe për ne që mes gjithë këtyre ajo vijon të tregojë jo vetëm një vëmendje të veçantë. Ka rëndësi të madhe për ne që kancelaria i kupton thelbësisht përpjekjet dhe vështirësitë tona për të sjellë ndryshimet e dëshiruara nga komunizmi drejt një demokracie evropiane,”- u shpreh Rama.

Më tej Rama tha se ky është takimi i tretë me kancelaren gjermane brenda një viti, një fakt sipas tij kuptimplotë për bashkëpunimin. Kryeministri e falënderoi kancelaren Merkel në emër të gjithë shqiptarëve për mbështetjen e vazhdueshme.

“Kjo ishte hera e tretë brenda një viti që mua më jepet kjo mundësi dhe ky fakt është kuptimplotë për cilësinë e bashkëpunimit dhe vullnetin për të forcuar partneritetin. Kancelare në emër të gjithë shqiptarëve dua t’ju them faleminderit për mbështetjen që na jepni. Në këto ditë të trazuara ka shumë rëndësi ta mbajmë parasysh rëndësinë jetike të BE-së. Kancelarja Merkel ka dhënë një projekt për të ngritur në një nivel të ri BE-në. Takimi i radhës në procesin e Berlinit që ka sjellë në rajonin tonë shpresë e bashkëpunim, do të mbahet në Vjenë në fund të gushtit dhe në rajonin tonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është e vendosur të ndjekë shembullin e bashkëpunimit të Gjermanisë me Francën.
“Jemi të vendosur të ecim së bashku me fqinjët serbë nën shembullin frymëzues të Gjermanisë e Francës. Modeli franko-gjerman i programit të shkëmbimeve rinore, është e vetmja shprehje kuptimplotë e dëshirës së përbashkët për ti dhënë fund urrejtjes brez pas brezi por edhe aspiratës sonë për të bërë për të ardhmen e rajonit atë që bënë Gjermania e Franca për të ardhshmen e BE-së. Siç është jetike mbështetja e Gjermanisë, është e rëndësishme që BE-ja të bëjë pjesën e tyre. Sot e qartë se BE ka nevojë për Ballkanin sa çka nevojë Ballkani për BE-në. Një mundësi e tillë do të ishte tragjike jo vetëm për Ballkanin por edhe Europën. Paqja që kemi arritur deri këtu, ka vetëm një fjalë çelës, Europa”, u shpreh ai.

RAMA: MIGRIMI? DUHET T’U JAPIM NJERËZVE NJË PERSPEKTIVË, SI ÇELJA E NEGOCIATAVE, POR DO PLOTËSOJMË NJËHERË STANDARTET
Rama tha se, Shqipëria do t’i bëjë reformat dhe hapat e nevojshëm për të qenë pjesë e BE-së, por theksoi se edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek migrimi, për të cilin tha se Shqipëria nuk ka të drejtë azili në BE, por kjo çështje sipas tij duhet parë edhe si një problem social që mund të kapërcehet me ndihmën e BE-së.

“Ne e dimë më mirë se askush tjetër se askush përveç nesh nuk do ti bëjë reformat dhe hapat e nevojshëm për të qenë pjesë e BE-së, por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj. Për migrimin ndamë të njëjtin shqetësim serioz. E dimë se Shqipëria nuk kanë të drejtë azili në BE. Është një çështje që duhet parë jo vetëm si një problem sigurie, por edhe si një problem social që mund të kapërcehet me mbështetjen e BE-së”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se “Shqipëria sot është e vendosur në rrugën e reformave reale të modernizimit të shtetit”. “Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë apo asnjë reduktim bujar kërkesash jo vetëm se jemi të vetëdijshëm se për çdo hap në BE, duhet të flasë realiteti, por edhe se integrimi nuk është një proces që e imponon Brukseli por që e imponon e ardhmja e vendit”, tha ai.

Rama ka shpjeguar edhe sfondin e takimit, një vepër sipas tij e një autori gjerman, që simbolizon partneritetin mes popujve të botës përmes konsumit.

“Shtrëngimi i duarve është vepra e një autori gjerman. Kjo vepër që ekspozohet për herë të parë këtu titullohet ‘Sign’. Duar-shtrëngimi simbolizon partneritetin mes popujve të botës përmes konsumit”, tha ai duke falënderuar edhe njëherë kancelaren dhe Gjermaninë si donatori numër një për Shqipërinë në gjithë rrugën tonë që nga komunizmi deri sot.

PYETJE-PËRGJIGJE
Ora:16:15-Shqipëria ka një vit që ka marrë statusin kandidat, gjatë kësaj kohe qeveria ka marrë një sërë reformash ndërsa politika e jashtme ka qenë pothuaj në të njëjtën gjatësi vale me BE. A mendoni se ka ardhur koha për përcaktimin e një afati për nisjen e negociatave?

Merkel: Në fakt nuk jemi duke përcaktuar afate të qarta në këtë proces, ajo që na e përcakton ritmin është përmbushja e standardeve. Duhet hartuar një plan i caktuar masash dhe veprimesh, ka prioritete të caktuara që nuk i vendos unë por Komision i Euroapian. Më lejoni të përmend prioriteti e reformës së drejtësisë, janë bërë progrese por nuk është realizuar në mënyrë të plotë. Unë di tani më që shumë vende presin që ky proces të shkojë para. Do doja t’ju siguroja që ky nuk është proces që ne e ngadalësojmë në mënyrë artificiale ne duam anëtarësimin e vendit tuaj.

Rama: Duke mbështetur atë që shpjegoi Kancelarja, duke pasur në tryezën e punës listën e kërkesave ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë që në fund të vjeshtës do i plotësojmë të gjitha përfshirë edhe paketën e reformës në drejtësi që i kaloi parlamentit për miratim. Në atë moment na lind e drejta që të kërkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Ky është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe ka për ne. Gjithçka po bëjmë nuk janë detyra që na i kërkojnë në Bruksel.

“Kur ne të kemi kaluar fazën kur ne do të kemi përmbushur të gjitha detyrat, kam bindjen se kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për të hapur negociatat”, tha Rama.

Në Evropë diskutohet më pak për zgjerimin e BE-së se ndarjen e Britanisë së Madhe apo Greqisë, sa kredibël e quani perspektivën e BE-së që iu ofrohet?
Kancelare sa janë shanset për ta karakterizuar Shqipërinë vend të origjinës së sigurt?

Rama: Mendoj se perspektiva për BE-në nuk është një perspektivë e ndarë, veç për ata që duan të dalin dhe veç për ata që duan të hyjnë. Integrimi i Ballkanit perëndimor nuk është thjrsht një nevojë e jona por gjithnjë e më shumë i BE-së, si projekt i paqes. Nuk do ishte tragjedi vetëm për Ballkanin por për gjithë Europën. Nga ana tjetër, për të qenë i sinqertë,  e di që dukemi jashtë modës që ne në Ballkan duam të hyjmë dhe ka të tjerë që duan të dalin, preferojmë më mirë të jemi jashtë mode se ti bashkohemi një vale europiane për të dalë nga historia. Ka një moment për tu tërhequr pak mbrapa dhe për të bërë një pyetje: Europa është një bashkim për mirë apo për keq? Unë e di mirë përgjigjen, kancelarja Merkel.

Për migrimin në shkallën tonë modeste mund të themi 2 gjëra, së pari jemi në bashkëpunim intensiv qoftë me Gjermaninë qoftë me vende të tjera për të dekurajuar prirje të kësaj natyre.

Kemi folur me kancelaren që paralelisht na duhet tu japim njerëzve një perspektivë qoftë të një natyre politike, çelja e negociatave.

Merkel: Ne kemi folur për politikën e migrimit, ka një bashkëpunim shumë të mirë mes dy ministrive të Brendshme. Nuk do kishim gjë kundër që Shqipëria të ishte vend i origjinës së sigurt por duhet bashkëpunim edhe me landet.

Nëqoftëse kjo procedurë do të shkurtohet do të japë efektet e duhura. Jemi duke ndjekur të njëjtën linjë. Duke dëgjuar edhe kryeministrin më vjen mirë që flasim hapur sepse nga njëra ana nuk mund të bëjmë kërkesë për hapjen e negociatave dhe nga ana tjetër ka ende kërkesa për azil.

Ju shiheni si një liderë e Europës, a ka një lider Ballkani, Rama apo Vucic?

Merkel: Nuk ka lider në Europë që të jetë kompetent për të gjitha çështjet, e njëjta gjë vlen edhe për Ballkanin. Ka projekte konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi angazhuar në mënyrë të përgjithshëm për integrimin e migrantëve. Nuk do të ketë asnjë shqetësim publik në lidhje me këtë.

ANGELA MERKEL PRITET NË CEREMONI ZYRTARE NË KRYEMINISTRI, INTERPRETOHEN HIMNET E DY VENDEVE

ORA 14:20 Ashtu siç ishte parashikuar në axhendës e vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel mbërriti në Kryeministri në orën 14:15, duke treguar edhe njëherë korrektësinë që e karakterizon popullin gjerman. Pak çaste para se kancelarja gjermane të mbërrinte para godinës, kryeministri Edi Rama u ndal për ta pritur pranë tapetit të kuq.

Kreu i qeverisë shqiptare dhe kancelarja gjermane kanë shtrënguar duart, duke i uruar asaj mirëseardhjen në Tiranë, ndërsa përballë Kryeministrisë ndodheshin dhjetëra qytetarë që prisnin të shihnin Angela Merkel.

Pasi janë interpretuar edhe himnet kombëtare të dy vendeve, kancelarja gjermane është takuar edhe me anëtarët e kabinetit qeveritar.

MERKEL MBËRRIN E PERPIKTE NË KRYEMINISTRI, PRITET NGA RAMA

Merkel shtrengon duart me Ramen
Merkel shtrengon duart me Ramen

Ora 14:15- Ekskorta që shoqëron kancelaren Angela Merkel ka parakaluar në Bulevelardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa pritet nga kryeministri Edi Rama në ‘shtëpinë’ e tij, në kryeministri. Siguria ne maksimum, helikoptere monitorojne nga ajri, ndersa ne rruge kane zbritur dhjetra e dhjetra efektive policie. Merkel ka mberritur ne orarin e caktuar ne kryeminsitri duke mos levizur asnje minute nga axhenda e percaktuar.

Helikopteri monitoron nga ajri
Helikopteri monitoron nga ajri

NISET NGA RINASI DREJT TIRANËS KANCELARJA MERKEL
Ora 14:00- Delegacioni i përfaqësuar nga kancelarja Angela Merkel është nisur nga Rinasi drejt Tiranës. Destinacioni i parë i Merkel do të jetë kryeministria, ku do të pritet nga kreu i Qeverisë, Edi Rama.

MBËRRIN NË RINAS AVIONI I KANCELARES MERKEL
Ora 13:40- Ka mbërritur në orën 13:30, ashtu siç ishte parashikuar avioni i kancelaren Angela Merkel në aeroportin “Nënë Tereza”. Mësohet se kancelarja gjermane u prit nga delegacioni shqiptar, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Krah Peleshit ndodhet dhe ambasadori yne ne Gjermani, Artur Kuko.

Merkel pritet nga Peleshi ne aeroport
Merkel pritet nga Peleshi ne aeroport

RAMA PRET NË KAFE MERKEL

Rama me kafe me Endri Fugen duke pritur Merkel
Rama me kafe me Endri Fugen duke pritur Merkel

Ora 11:30- Kryeministri Edi Rama po pret në kafe mbërritjen e kancelares gjermane Angela Merkel. Rama qëndron i ulur tek hotel ‘Rogner’ me këshilltarin për mediat, Endri Fuga, ndërsa delegacioni shqiptar udhëtoi në aeroportin e Rinasit të mirëpresë Merkelin. Kryeministri ka zgjedhur të shpenzojë këtu kohën teksa pret Merkelin të mbërrijë në Tiranë dhe jo pa qëllim. ‘Rogner’ ndodhet krah godinës së kryeministrisë ku dhe do të bëhet pritja. Ngjitur me tryezën pranë Ramës ndodhen të ulur deputetja Majlinda Bregu me të cilën Rama ka shkëmbyer disa herë buzëqeshje nga njëra tavolinë tek tjetra. Artisti Anri Sala, një mik i Edi Ramës iu bashkua tryezës pak minuta më pas.

NISET NË AEROPORT DELEGACIONI QË DO PRESË MERKELIN
Ora 11:20 Delegacioni i cili do të presë kancelaren Angela Merkel është nisur tashmë drejt Aeroportit të Rinasit. Pjesë e delegacionit janë zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe zv.ministrja e Jashtme, Odeta Barbullushi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel pritet të mbërrije në Aeroportin e Rinasit në orën 13:50.

JA AXHENDA E TAKIMEVE
Kancelarja Merkel pritet të mbërrijë në aeroportin ‘Nënë Tereza’ rreth orës 13:50, ndërsa në orën 14:15 do të zhvillohet pritja shtetërore e nivelit më të lartë.

Pas takimit kokë më kokë prej 15 minutësh me kryeministrin Edi Rama, dhe takimit mes dy delegacioneve, në orën 15.40- 16.10 do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp.

Ndërkaq në njoftimin mbi vizitën e Merkel në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ka deklaruar se çështjet kryesore të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet bilaterale me Gjermaninë si dhe BE-në, si dhe çështjet ekonomike dhe të energjisë. Sibert ka bërë të ditur se Kancelarja Merkel do të takohet edhe me presidentin Nishani.

Ndërsa rreth orës 17.00 – 18.00, Kryeministri i Shqipërisë, Rama dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Merkel i drejtohen me fjalime konferencës ekonomike që do të mbahet në Tiranë. Vizita e Merkel do të zhvillohet nën masa të forta sigurie.

Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave, ku përfshihen ndalimi qarkullimit të mjeteve nga ora 10:30-14:30 në aksin rrugor Rinas në drejtim të Kasharit.

Nga ora 13:30-14:30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.

Në vazhdim segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga e “Durrësit”, segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.

((ed.me/el.sp/d.b/a.n/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: