TIRANE – Në shtëpinë e Sokol Fekës janë hapur dyert e mortit. Familjarë, të afërm, miq e kolegë kanë nisur të ngushëllojnë të shoqen e nënën e tij që prej pasdites së djeshme. Të gjesh adresën e pilotit 41-vjeçar është disi e vështirë. Brenda një viti ka ndërruar tri vendbanime për shkak të qirasë së kripur, që nuk e paguante dot. Edhe tani jetonte në një shtëpi me qira, në katin e dytë të një vile trekatëshe në rrugën “Anri Buazen”, pranë ish-Kombinatit “Misto Mame”, në Tiranë. Për gjendjen e tij të vështirë ekonomike na flasin edhe banorët e zonës, të cilët e kishin njohur edhe më parë, duke qenë se ai kishte jetuar aty po me qira para disa muajsh në një tjetër banesë. Ndërsa i vetmi nga familjarët që pranon dhe është në gjendje të flasë rreth asaj që ka ndodhur, është vjehrri i tij, Ethem Cenaj. Ai tregon se kjo ishte hera e dytë që Sokoli shkonte në Spanjë, por arsyen nuk e dinte as e shoqja. Cenaj thotë se e prisnin të kthehej të mërkurën, ndërsa lajmin e vdekjes e morën vesh nga zhvillimet në Parlament.
Kur e mësuat ngjarjen?
Sot nga dreka e kam marrë vesh.
Ju njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes?
Jo, jo. E kam marrë vesh në radio rastësisht. Po dëgjoja zhvillimet në Parlament kur dëgjova që u përmend emri i dhëndrit tim. Menjëherë i telefonova gruas që të shkonte t’i rrinte afër vajzës, sepse e dija që ajo do ishte shkatërruar nga ky lajm.
A keni biseduar me vajzën, nëse ajo dinte diçka rreth udhëtimit të Sokolit në Spanjë?
Kam folur, por ajo e dinte që ndodhej atje për çështje pune. I kishte thënë që po shkonte për të riparuar disa helikopterë atje…
Prej sa ditësh ishte larguar nga Shqipëria?
Me sa më ka thënë vajza, kishte 8 ose 9 ditë që kishte ikur.
Ju kishte thënë se kur do të kthehej?
Ne në fakt e prisnim që të kthehej të mërkurën, por nuk erdhi. Nuk erdhi se i paska ndodhur kjo.
Jeni i sigurt që bëhet fjalë për dhëndrin tuaj, ju është konfirmuar kjo zyrtarisht?
Edhe pse mirë është që të shpresojmë për ndonjë gjë të pavërtetë në këtë histori, më duket se është e kotë. Vërtet nuk na kanë informuar zyrtarisht, por pak më parë telefonuan nga Shtabi i Përgjithshëm dhe na thanë që një grup pilotësh nga baza e Farkës ishin nisur për të ardhur këtu. Kjo shpjegon se ajo që është thënë sot gjithë ditën është e vërtetë.
Kur ka biseduar vajza juaj me Sokolin?
Ishte te shtëpia ime kur foli me të të dielën në darkë. Foli prapë të hënën në mëngjes dhe më pas nuk kanë pasur më komunikim. Në telefonatën e fundit i tha që do të kthehej të mërkurën.
Kishte qenë më parë Sokoli në Spanjë?
Po, ka qenë edhe një herë tjetër në fund të vitit të kaluar. Me sa di unë, ka qëndruar një javë. Në atë kohë ishte me trajnim në Angli dhe nuk u kthye direkt këtu pasi e përfundoi trajnimin. I telefonoi vajzës dhe i tha që do të shkonte në Spanjë pasi kishte një shërbim atje, sërish për riparim helikopterësh.
Tashmë emri i tij, përveçse përmendet për aksidentin që i ndodhi, po lakohet edhe për përfshirje në trafik droge. Mund të thoni diçka për këtë?
Nuk di çfarë të them në lidhje me këtë. Unë nuk kam dijeni për asgjë. Dhe, me sa kam folur me vajzën, as ajo nuk ishte në dijeni.
Është e vërtetë që dhëndri juaj kishte edhe një kompani private pastrimi? Po çfarë kompanie thoni?
Ajo nuk ka shërbyer ndonjëherë për asgjë. Ai jetonte në shtëpi me qira. Rroga mezi i mjaftonte. Një pjesë e saj i kalonte automatikisht dy fëmijëve që ka me gruan e parë, pasi ata jetojnë me ishbashkëshorten e tij. Edhe kredi ka pa paguar.
Çfarë mund t’ju them tjetër për gjendjen e tij ekonomike?
Ka ndërruar shtëpi me qira disa herë.
Me kë jetonte aktualisht Sokoli?
Me të shoqen, vajzën 5 vjeçe dhe nënën e tij. I ati i ka vdekur. Ka qenë djalë i vetëm dhe motrat i ka të martuara.
Ju kanë telefonuar kolegët e tij ose t’ju kenë ofruar ndonjë ndihmë, qoftë edhe për ta transportuar trupin nga Spanja këtu?
Po, kishin telefonuar dhe thanë që do të vinin. Nuk e di me saktësi se cila është arsyeja, a për ta na ngushëlluar, a për të na ndihmuar, apo për të bërë ndonjë kontroll a verifikim në shtëpi, pasi dihet tashmë se këto avaze do kemi. Por momentalisht po i presim që të vijnë.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: