TIRANË- Plot rrëfime e histori të mbushura me dramë kemi dëgjuar dhe kemi parë ku gratë janë viktimat por në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 vjen sot një rast krejt i ndryshëm.
“BalkanWeb” zbardh historinë e 37-vjeçarit Hektor Lleshi, babai i një djali 2-vjeçar me origjinë nga Mirdita por me banim në Durrës që aktualisht vuan dënimin për dhunë në familje në burgun e Fushë-Krujës. Ai është martuar në gusht të vitit 2014 me Pavlina Lalën dhe sollën jete djalin e tyre Pahelin i cili është 2 vjeç.

Fillimisht martesa ka ecur shumë mirë mes tyre, por pas disa muajsh filluan probleme të vazhdueshme, zënka dhe mosmarrëveshje të cilat çuan në ftohjen e plotë të marrëdhënieve të tyre bashkëshortore.
Burimi i këtyre zënkave sipas prindërve të djalit që e përfaqësojnë sot në emision, kanë qenë vazhdimisht sjellja dhe qëndrimi i Pavlinës kundrejt Hektorit dhe atyre. Djali kuptoi gjatë periudhës që jetuan bashkë, se ata fatkeqësisht nuk përputheshin në karaktere.

Hektori vendosi që në qershor të 2015 të kërkojë zgjidhjen e martesës në gjykatën e Durrësit me Pavlinën, pasi asgjë nuk funksiononte më mes tyre.

Çifti u nda dhe fëmija kaloi nën kujdestarinë e nënës dhe babai kishte të drejtat ligjore mbi fëmijën si dhe takimet që kishte vendosur gjykata. Sipas zyrës përmbarimore Hektori ka qenë shumë i rregullt me pagesat e djalit, edhe pse ish-nusja i ushtronte presion që ata të bashkoheshin sërish…por babi i fëmijës kishte vendosur t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë kësaj lidhjeje edhe pse kishte një fëmijë. Kjo e fundit shpesh herë tërhiqte pagesat që Hektori bënte në bankë dhe shkonte ia kthente me pretendimin se djalin do ta rriste vetë dhe nuk kishte nevojën e babait.

Ngjarja e rëndë që ka bërë Hektorin të ndodhet pas hekurave ka qenë dhjetori i 2016-ës. “Si çdo baba, shkon për festat e fundvitit të marrë djalin dhe t’i blejë dhuratat. Pavlina, nëna e fëmijës inskenon një konflikt duke lajmëruar policinë dhe duke akuzuar babain e fëmijës se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Kur ka qenë Pavlina ajo që ka ushtruar dhunë ndaj Hektorit. Pavlina është me profesion ushtarake”, thonë prindërit e Hektorit.

E vërtetë apo një trill…fakti është se Hektor Lleshi ka afërsisht tre muaj që vuan dënimin për dhunë në familje. Ndërkohë prindërit e tij disponojnë audio…ku Pavlina e kërcënon dhe i thotë se do ta fusë në burg nëse ai nuk ribashkohet me atë. Një histori delikate, marrëdhënie të prishura…në mes është një fëmijë 2-vjeçar. 37-vjeçari dhe prindërit e tij kërkojnë të zbardhet e vërteta dhe të lirohet pasi ai është i pafajshëm dhe ka qenë nusja ajo që ka ushtruar dhunë ndaj tyre disa herë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb