Sezon i ri, problem i vjetër. Te Vllaznia nuk gjejnë qetësi me sulmuesit dhe kjo u konfirmua në ndeshjen e fundit ndaj Teutës. Edhe pse starti i kampionatit nisi me një fitore bindëse ndaj Lushnjës, problematika me repartin e sulmit u vu në dukje më shumë se kurrë ndaj durrsakëve. Peshën e sulmit në këto dy ndeshje e ka mbajtur ganezi Çarls Atsina, por që nuk e ka justifikuar aspak besimin e drejtuesve.

Ndaj Teutës sulmi ka qenë thuajse inekzistent gjatë gjithë takimit. Në Shkodër tashmë besojnë pak se Atsina dhe sulmuesi tjetër, Ribaj, do të mund të zgjidhin problemin e golit te Vllaznia. Sipas dy ish-sulmuesve kuqeblu në vitet ’80-’90, Faslli Fakja dhe Edi Martini, Atsina nuk mund të cilësohet një afrim i duhur për Vllazninë në repartin ofensiv. Për “Panorama Sport” ata thonë se ganezi është një sulmues që nuk arrin të tërheqë skuadrën përpara.

“Ai është një lojtar që luan me shpinë nga porta, gjë që nuk sjell asnjë rrezik për mbrojtjet kundërshtare. Pra, një sulmues që nuk arrin dot të shtyjë, duke mbajtur ekipin afër portës”, thonë njëzëri dy ish-sulmuesit. Madje, këtë problem, Martini dhe Fakja, e kanë bërë të ditur edhe pas takimit të parë kundër Lushnjës, pavarësisht fitores së arritur nga skuadra kuqeblu.

Gjithashtu, edhe ish-kapiteni Elvin Beqiri, në prag të ndeshjes me Teutën, bëri të ditur për gazetën se skuadra shkodrane do të ishte e mangët në sulm dhe kjo u konfirmua plotësisht të dielën.

TRAJNERI
Armando Cungu është shprehur i pakënaqur me atë që ka dhënë në takimin ndaj Teutës sulmuesi Atsina. Trajneri ka dhënë edhe arsyet për përzgjedhjet e tij për vijën e parë, ndërsa ka zbuluar se Andi Ribaj ka ardhur i pastërvitur dhe i duhet kohë për të kapur formën.

“Sulmi është një problem për Vllazninë. Këtë unë e kam theksuar edhe më përpara. Natyrshëm, nuk u afruan ata lojtarë cilësorë që ne kërkuam dhe duke qenë në këto pozita, duke u ndier krejt bosh, afruam Atsinën, pasi na janë larguar tre sulmues. Ne duhet të pretendonim që të zëvendësoheshin me dy.

Bëmë afrimin e Atsinës, por gjithmonë për të qenë një futbollist alternativë. Nuk arritëm që të afronim një sulmues tipik goli dhe, në të tillë kushte, morëm në momentet e fundit edhe Ribajn. Një lojtar që e njeh kampionatin tonë, por që do kohën e vet, pasi është pa fazë përgatitore edhe pa stërvitje”, ka thënë për dyshen sulmuese trajneri Cungu menjëherë pas ndeshjes ndaj Teutës.

Nga ana tjetër, kreu i pankinës nuk ka mbetur i kënaqur edhe nga loja e mesfushorëve, ku kuqeblutë ndihen edhe më të plotësuar. “Lojtarët që janë kthyer pranë Vllaznisë, janë ndier disi të impresionuar dhe nuk kanë arritur që të tregojnë vlerat që kanë. Duhet ta kishin treguar më shumë qetësi, por edhe ata nuk janë në formë”, përfundoi trajneri./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: